Tirana, Dede sulmon gjyqtarët: Duhet të respektojnë rregulloren
Barazimi 1-1 me Bylisin sigurisht që nuk i shkon për shtat Tiranës ambicioze, që i ka sytë te lufta për titull. Por trajneri Nevil Dede i ka gjetur përgjegjësit për këtë rezultat jo të mirë të skuadrës së tij: ata janë gjyqtarët. “Një turp i madh për kampionatin shqiptar, ka akuzuar trajneri i bardhebluve. Më duket vetja sikur po luanim në regres, rreth 15 vjet pas. Nuk mund të zhvillohet një ndeshje me të tilla gjykime. Nuk është kampionat që duhet të kërkojmë shumë për gjykimin, por arbitrit duhet të bënin minimalen, të respektonin rregulloren dhe jo të gjykonin si amatorë. Siç u zhvillua loja, në pjesën e dytë kishim mundësi të shënonim në minutat e para”. Trajneri Nevil Dede ka kërkuar më pas që ekipi të stërvitet sot me dy seanca, të cilat do të zhvillohen sipas orareve: paradite ora 9:00-11:00 dhe pasdite ora 14:30-16:00. 24-herë kampionët e Shqipërisë duket se i kanë vënë vetes detyrë që të marrin një trofe këtë vit.