E Shtunë, 31 Tetor 2026

“ProCredit Bank” çel një degë të re në Durrës

“ProCredit Bank” çeli dje degën e saj më të re në qytetin e Durrësit. Me qëllimin për t’i shërbyer sa më mirë klientëve të saj, “ProCredit Bank” ka hapur degën e katërt në Durrës dhe së shpejti parashikohet të zgjerojë edhe më tej rrjetin e saj. Në vitin 1997 “ProCredit Bank” ka filluar aktivitetin e saj në Durrës me hapjen fillimisht të një dege për klientët e saj. E pranishme prej 11 vjetësh, “ProCredit Bank” gjithmonë ka pasur synimin për të qenë sa më pranë klientëve dhe për të plotësuar sa më mirë nevojat e tyre. “ProCredit Bank” renditet si një ndër bankat e parë private e përqendruar në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Më shumë se 21 mijë klientë i kanë besuar kursimet e tyre “ProCredit Bank” në Durrës që arrijnë në më shumë se 27.2 milionë euro. Ndërkohë që prej muajit gusht 1997 deri më sot “ProCredit Bank” në Durrës ka dhënë gjithsej rreth 4 mijë kredi me një volum prej 18.1 milionë euro. Objektivat e “ProCredit Bank” përfshijnë zgjerimin e mëtejshëm gjeografik, si edhe një shtrirje të mëtejshme në qytetet ku tashmë banka është e pranishme, duke theksuar kështu përkushtimin për të qenë sa më pranë klientëve tanë. “Me qëllimin për të plotësuar sa më mirë nevojat e klientëve, “ProCredit” është banka e vetme në Shqipëri që ofron orarin më të gjatë të shërbimit në sporteleve të saj nga e hëna në të shtunë”, - shprehet më tej Valon Zeka, drejtor rajonal për “ProCredit Bank” Durrës dhe Kavajë. Ai sqaron më tej që “ProCredit Bank” do të vazhdojë që të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, duke iu shërbyer në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme. “ProCredit Bank” është e pranishme nëpërmjet një rrjeti prej 36 degë dhe agjenci në 19 qytete të Shqipërisë, ku në çdo degë dhe agjenci ofron një linjë të plotë me shërbime dhe produkte bankare për të gjithë. “ProCredit Bank” ka hapur së fundmi degë të reja në Tiranë, Fier, Durrës, Korçë, Tiranë, Librazhd, Divjakë etj. Aksionerët e “ProCredit Bank” Shqipëri janë: “ProCredit Holding AG” dhe “Commerzbank AG”. “ProCredit Bank” është e pranishme në 22 shtete, në: Evropën Juglindore, Afrikë dhe Amerikën Latine.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›