E Diel, 1 Nëntor 2026

Leka Zogu në spital, Berisha: Ka shenja përmirësimi

TIRANE - Kryeministri Berisha vizitoi në spital trashëgimtarin e Fronit të Mbretërisë Shqiptare, Leka Zogun, i cili ndodhet i shtruar në reanimacionin e spitalit nr.5 në Tiranë. 

Pas vizitës, kryeministri deklaroi për mediat se lartmadhëria Leka Zogu ka shenja përmirësimi dhe u shpreh i bindur se do ta kapërcejë situatën. 

“Do ta kapërcejë këtë situatë dhe i urojmë shërim të shpejtë. Qeveri është e vendosur të japë çdo lloj mbështetje në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë”- u shpreh kryeministri Berisha.

Probleme me zemrën, Leka Zogu në spital në gjendje të rëndë
Ora:7:22 Trashëgimtari i Fronit të Mbretërisë Shqiptare, Leka Zogu i Parë u shtrua me urgjencë në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mësohet se Leka Zogu i Parë u shtrua mbrëmjen e djeshme në reanimacionin e spitalit nr.5 në kryeqytet, pasi kaloi një fibrilacion atrial. 

Mjekët bënë të ditur se Leka Zogu u paraqit në urgjencë në gjendje kome, me temperaturë tepër të ulët, deri në 35.2 grade celsius. 

Aktualisht pretendenti i fronit mbretëror është nën monitorimin e mjekëve të spitalit nr.5, të cilët po shqyrtojnë mundësinë e transportimit të tij jashtë Shqipërisë.

Mësohet se 73-vjeçari  vuan prej kohësh nga vështirësi në rrugët e frymëmarrjes dhe nga anoreksia e theksuar. Gjendjen e rënduar shëndetësore e pohon dhe doktor Mentor Petrela. 

"Mbreti Leka I po mjekohet për vuajtje multisistemike ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive dhe gjendja e Mbretit është relativisht e rëndë por nën kontroll dhe po merr terapinë e nevojshme", thotë shefi i këtij spitali, profesor Petrela.

Sipas zëdhënësit të oborrit mbretëror kontaktuar nga Gazeta dje mbrëma rreth orës 23.30, thuhet se Leka I është në gjendje më të mirë shëndetësore dhe ai ka pasur komunikim me vizitorët e mjekët, ndërsa mohojnë faktin e një gjendje kome. Përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Leka Zogut e ka pohuar edhe ministri i shëndetësisë Petrit Vasili i cili thotë se ai është nën kontroll dhe do kalojë një natë të qetë. Në spital ka qenë gjatë gjithë ditës edhe djali i vetëm i Leka Zogut, princ Leka.

FIBRILACIONI ATRIAL
Fibrilacioni atrial është forma më e zakonshme e aritmisë. Prek më shumë të moshuarit, personat me tension të lartë të gjakut dhe ata që vuajnë nga sëmundje të tjera të zemrës. Mjekët shpjegojnë se Fibrilacioni atrial mund të shkaktojë infarkt, keputje dhe insuficience kardiake.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›