E Shtunë, 31 Tetor 2026

Probleme tek Tirana disa futbolliste refuzojne te sterviten

Disa lojtarë të Tiranës nuk kanë dalë në stërvitje. Arsyeja, e pohuar nga vetë klubi bardheblu, është mosmarrja e pagave.
Nuk jepen me detaje se cilët lojtarë nuk kanë pranuar të kryejnë seancën stërvitore në “Skënder Halili”, por edhe kaq mjafton për të kuptuar se gjendja nuk mund të quhet më e mira e mundshme.
Javët e kaluara, lojtarët bardheblu kanë protestuar duke nisur stërvitjen me vonesë, ndërsa këtë herë, është shkuar një hap më tej.
Sipas pohimeve të vetë drejtuesve, pagesat për lojtarët janë një problem, ndërsa administrata dhe trajnerët e akademisë nuk kanë pasur shqetësime të tilla.
Trajneri Dede dhe klubi bardheblu kanë një problem më shumë vetëm dy ditë para ndeshjes ndaj Flamurtarit në kampionat, ndërsa ende nuk ka kaluar jehona e ngjarjes së Kavajës, pas së cilës Dede denoncoi kryebashkiakun Elvis Roshi duke e akuzuar se kishte ushtruar dhunë ndaj tij.
Tirana lufton për t’u kualifikuar për në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm dhe aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në Superligë me 29 pikë pas 18 javësh. Për të arritur Europën, tiranasve u duhet të paktën vendi i katërt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›