Nuk bëhen shërbestarë, socialistët mëkatarë!
Sa më tepër përparon demokracía, aq më ngushtë e ndiejnë veten mëkatarët socialistë. Të mësuar me privilegje të pamerituara, ata s’mund të pajtohen me garën e ndershme të vlerave. Nuk mund të pranojë mëkatari barazinë para ligjit me viktimën. Mëkatari kërkon demokraci për vete. Ligji duhet t’i shërbejë vetëm atij dhe ortakëve të tij. Edhe kur zgjidhet deputet, mëkatari e sheh Kuvendin si “trampolinë”, nga ku mund të kërcejë për të shtuar beneficet e tij. I edukuar me dekada t’i duartrokisnin babanë, i sheh njerëzit si miza dheu. Nuk mund të pranojë detyrime ndaj elektoratit ai që mendon se ka lindur vetëm për të sunduar. Kjo ndjenjë arrogante madhështie i bën drejtuesit socialistë të mos pajtohen me humbjen në zgjedhje. Nuk njeh mirënjohje harbuti, ndaj njeriut që ka marrë nëpër këmbë. Prandaj shumë mëkatarë socialistë, apo duaxhinj të tyre, vënë sot kushte për të hyrë në parlament. Kjo tregon se ata nuk e njohin vullnetin e sovranit dhe se pushtetin e quajnë të trashëguar qysh nga epoka, kur jeta e njeriut ishte zemërgjerësí e tyre. Mëkatari mendon vetëm si të fshehë gjëmat e tij. Atij nuk i mbetet kohë të mendojë për të tjerët. Aq më pak të shqetësohet për ta. Pjesë e mëkatit janë dhe gjithë ata që mbështesin mëkatarët. Krimi kryhet dhe me mosveprim ! Shpesh servilët janë më prepotentë se xhelatët. Frika prodhon madje sadistë. Prandaj thotë populli se trimi të fal më lehtë se frikacaku.
PS ka shpallur bojkot me kushte. Ajo kërkon që, për interesat e saj, t’i vërë Kuvendit “kufirin te thana”. Ajo kërkon të shpallet si një fitimtare e viktimizuar. Të kërkojë, pra, qiqra në hell. Ta detyrojë parlamentin të mendojë për të gjetur hajdutin e zgjedhjeve, me qëllim që ai të harrojë reformat madhore, zullumet e opozitës. Shkurt, PS-ja e quan elektoratin shërbyes të sajin. Nuk mendojnë mëkatarët e PS-së se si t’i shërbejnë sovranit. Atyre u duhet partia vetëm për t’u mbrojtur mëkatet. Kushtet e bojkotit të tyre zbërthejnë mentalitetin barbar për demokracinë dhe pluralizmin. Atyre u duhet PS-ja dhe elektorati si një legjion badigardësh, që t’i mbrojë mëkatarët, qoftë edhe me demonstrim muskujsh. Kjo e ka revoltuar më shumë se humbja elektoraton socialist. Ai po kupton tani tërë hipokrizinë e fushatës, demagogjinë mashtruese të premtimeve, talljen e lotëve të krokodilit, mungesën totale të një vizioni për t’i bërë edhe socialistët e ndershëm të krenoheshin me demokracinë.
Mëkatarët socialistë mendojnë vetëm për veten e tyre. Kushtet për hyrjen në Kuvend i kanë alibi, për ta detyruar mazhorancën të mos hapë “defterët” e zullumeve të tyre. Nëse PS-ja iu desh atyre si “bunker”, elektorati u duhet vetëm si demonstrim force në mitingje. Nëse nuk pranojnë humbjen dhe duan që gjithë mandati katërvjeçar të harxhohet për transparencën, ata synojnë të varrosin imazhin e standarteve të arritura në zgjedhje. Në këtë kuptim, mëkatarët socialistë dhe gjithë shpura e puthadorëve të tyre, të zgjedhur nga rruga si deputetë, po “hakmerren” ndaj atij që duhet t’i shërbejnë, sovranit. Por mëkatarët nuk kanë aq dinjitet sa të çmojnë se tërë vlera e tyre (nëse kanë!) buron vetëm nga aspiratat fisnike të elektoratit. Kushtet e mëkatarëve jsocialistë tingëllojnë si një tallje ndaj besimit, që elektorati u dha duke i votuar. Por socialistët mendojnë sipas filozofisë enveriste, e cila edhe jetën ia kushtëzonte njeriut me devotshmërinë ndaj partisë. Të gjithë jetuan në diktaturë me kushte. Të gjithë duhej të plotësonin kushtet e arbitraritetit, që të gëzonin një të drejtë minimale. Le që e drejta as që ekzistonte! Ajo ishte vetëm dhuratë e partisë. Të gjithë duhej të ishin mirënjohës që lejoheshin të blinin bukë në të njëjtën furrë. Të falënderonin partinë që ua kushtëzonte arsimimin e tyre me përbuzje ndaj të jatit, që kishte lindur në një familje të pasur. Të qeshnin para kutisë së votimit, që vëzhgohej nga oficerë të sigurimit. Të mos shfaqnin pakënaqësí, kur u merrej nëpër këmbë jeta dhe dinjiteti. Të quanin të drejtën detyrë dhe detyrën të drejtë. Prandaj, nuk mund të ndihen shërbestarë mëkatarët socialistë. Prandaj ata duan ta ndëshkojnë elektoratin, që nuk votoi i gjithi për ta. Dhe, meqë për ta faji është kolektiv, i gjithë elektorati lypset ndëshkuar. Nuk meritojnë të bashkohen familjarisht me fëmijët e tyre jashtë shtetit gjithë ata që nuk e kuptuan sloganin “Përtej së majtës e së djathtës“. Përse nuk votuan të gjithë për Edvin Ramën ? Përse po e pranojnë sot humbjen ? Përse nuk e kuptuan personalizimin, që misionari i gënjeshtrave i bëri fushatës zgjedhore ? A nuk tregojnë këto se u pëlqeu fitorja e së djathtës ? Jo! Mëkatarët socialistë nuk kanë inat as qeverinë aktuale, as komisionerët e tyre të painstruktuar mirë, as K.Q.Z.-në, as organizmat ndërkombëtare, që monitoruan zgjedhjet. Jo! Mëkatarët socialistë tërë mllefin e kanë me elektoratin, Sidomos me atë të tyrin. Prandaj, me kushtet për të hyrë në Kuvend, duan të ndëshkojnë gjithë shqiptarët që nuk votuan masivisht për ta. Prandaj, bojkoti i tyre synon të kushtëzojë heqjen e vizave me ndryshimin e mendimit të sovranit për zgjedhjet. Të paktën, të ngrihen në protesta t’i çmojë ato si të manipuluara. A nuk është një përbuzje e hapur ndaj mëkatarëve socialistë kjo heshtje fatale, ky madje entusiazëm, me të cilin u pasua shpallja e rezultatit të zgjedhjeve ? Mëkatarrët socialistë ndjekin parimin e xhelatëve të djeshëm: “Nëm, të të jap!”!...