Depresioni, vetëvaret 14-vjeçari pas vdekjes në aksident të të atit
Xhuliano L. është gjetur në kasollen e shtëpisë së tij i varur në një litar, pas depresionit për humbjen e babait
FIER Një adoleshent 14-vjeçar i ka dhënë fund jetës së tij pasditen e së enjte. Xhuliano. L banor i fshatit Havaleas, komuna Dërmënas, rrethi Fier, është gjetur i vetëvarur në kasollen e bagëtive prej të afërmve të tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16 00. të pasdites së enjte. Ka qenë e ëma e viktimës ajo që ka dalluar mungesën e të birit në shtëpi për një periudhe disaorëshe. Ajo ka nisur nga kërkimet e shqetësuar prej faktit se djali nuk mungonte disa orë në banesë dhe se për çdo largim të tij, ai njoftonte vendndodhjen. Pasi kanë kërkuar nëpër lagje dhe te të afërmit, të alarmuar familjarët kanë shkuar edhe në kasollen e bagëtive, që ndodhet pranë shtëpisë. Atje kanë gjetur të pajetë trupin e 14-vjeçarit të vetëvarur në këtë kasolle. Sipas të afërmve, janë munduar t’i japin ndihmë duke prerë nyjën e litarit, por i mituri nuk jepte shenja jete. Mes dhimbjes dhe lotëve familjarët kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit ka mbërritur në vendngjarje dhe pasi ka kryer edhe ekspertizën përkatëse ka dërguar trupin e pajetë në morgun e qytetit. Ekspertët kriminalistë kanë vërtetuar dhe shkakun e vdekjes: asfiksim nga mbytja me mjetet rrethanore, në këtë rast litar.
Policia nuk ka dhënë detaje në lidhje me shkaqet e kësaj vetëvarjeje, ndërkohë që burime pranë saj kanë pohuar se njëri prej shkaqeve të mundshëm është humbja e babait të viktimës. Para dy vitesh 14-vjencari ka përjetuar humbjen e babait të tij në një aksident automobilistik në aksin rrugor Fier- Seman. Kjo humbje ka lënë gjurmë te djaloshi që shquhej si aktiv në jetë. Prej një viti ai kishte përfunduar studimet në shkollën nëntëvjeçare në fshatin Pojan, të komunës Dërmënas.
Por ky nuk është rasti i vetëm kur adoleshentët për arsye të ndryshme i japin fund jetës. Kështu kohë më parë në një fsastin Bubq të Krujës, G. Llati, 14 vjeç, u gjet i varur në litar në kasollen ku familja mban bagëtinë. Ndonëse prindërit e Llatit mundën ta gjejnë ende të gjallë fëmijën e tyre të munduar nga një jetë e vështirë ekonomiko-financiare në familje, dërgimi në spital nuk ndryshoi gjë, pasi fëmija humbi jetën dy javë më pas në spital.