Problemet me kumarin, FSHF shtyn prezantimin e Kuzhe
Jetmir Halilaj
Josip Kuzhe nuk është prezantuar ende zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, ndonëse është emëruar në këtë post që nga 20 maji. Tekniku ndodhet prej tri ditësh në Tiranë, por Federata Shqiptare e Futbollit nuk e pa të arsyeshme që trajneri të dilte dje në konferencë shtypi, ndonëse interesimi i medias dhe i sportdashësve ishte shumë i madh. Askush nuk e di se çfarë strategjie do të ndjekë kroati dhe se çfarë objektivash i ka vënë vetes ai në detyrën e re që ka marrë. Megjithatë, është shumë e çuditshme që presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me shumë pompozitet e nxori teknikun në konferencë para mediave, ende pa u zgjedhur mirë, ndërsa tani ngurron ta prezantojë të zgjedhurin e tij para publikut.
E kaluara
Josip Kuzhe ka pasur probleme të theksuara me kumarin në të kaluarën, madje kjo i kushtoi edhe vendin e punës te Dinamo e Zagrebit në sezonin 2006. Ai u fotografua në një pikë bastesh dhe kjo shkaktoi një reagim të fuqishëm në median kroate. Tekniku u detyrua të jepte dorëheqjen vetëm një muaj pasi kishte filluar kampionati. Edhe një pjesë e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv ishin kundër zgjedhjes së 56-vjeçarit kroat, për shkak të së kaluarës së tij. Kjo ndoshta është arsyeja që FSHF-ja përpiqet që të evitojë kontaktet e tepërta mes trajnerit dhe medias, me qëllim që situata të qetësohet disi dhe vëmendja të mos përqendrohet te e kaluara e teknikut.
Strategjia
Në vend të trajnerit të ri të Kombëtares, Josip Kuzhe, para gazetarëve të shumtë të pranishëm në zyrat e FSHF-së, ka dalë figura imponuese e zëdhënësit për shtyp. “Çfarë do thotë më shumë trajneri? I tha të gjitha gjatë prezantimit të tij si kandidat. Nuk ia vlen ta nxjerrim prapë në konferencë”. Këto ishin fjalët e përgjegjësit të zyrës për shtyp të FSHF-së, Tritan Kokona dje, teksa u kërkonte me ngulm gazetarëve që të largoheshin nga ambientet e federatës. Nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë edhe manovër e FSHF-së për të zbutur situatën. Në rast të një rezultati pozitiv kundër Portugalisë më 6 qershor, FSHF dhe trajneri Josip Kuzhe do të ndiheshin në pozita më komode dhe problemet që ka pasur tekniku me kumarin në të kaluarën nuk do të ishin më kaq shqetësuese.
Gjuha
Burime pranë FSHF-së bënë të ditur se trajneri kroat i përfaqësueses shqiptare është interesuar edhe për të mësuar gjuhën shqipe. Ai do të qëndrojë për një kohë të gjatë në Tiranë dhe gjatë kësaj kohe do ta ketë të nevojshme që të mësojë gjuhën. Pritet që gjatë javëve të ardhshme të fillojë kursin.
Topi: Pres shumë nga Kuzhe
Në një intervistë të dhënë për mediat kroate, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka vlerësuar zgjedhjen e Josip Kuzhesë në krye të përfaqësueses shqiptare dhe ka thënë se shpreson që tekniku 56-vjeçar të bëjë një punë të mirë në krye të Kombëtares. “Kam marrëdhënie të mira me Oto Bariçin, disa futbollistë kroatë si Pejiç, i cili ka luajtur në Shqipëri. Ne në Shqipëri e vlerësojmë cilësinë dhe nivelin e futbollit kroat. Trajneri Kuzhe do të jetojë dy vite në Shqipëri dhe besoj se do të jetë në gjendje të bëjë një punë të mirë. Pres rezultate të mira të përfaqësueses shqiptare nën drejtimin e tij”, ka thënë kreu i shtetit për “Veçernji List”.