Vizat, BE: Kriteret ku ngec Shqipëria
bledar hoti
Shqipëria nuk ka përmbushur ende kushtet e vëna nga Komisioni Evropian në lidhje me procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaportat biometrike dhe me kartat e identitetit. Në raportin e Komisionit Evropian, i ndarë në 4 blloqe, prej 27 faqesh kërkon pajisjen e shtetasve shqiptarë me këtë dokument. Në dokumentin e cilësuar si harta e Rrugës për Liberalizimin e vizave theksohet se, “edhe pse ka nisur procesi i pajisjes me pasaporta biometrike, shpërndarja e tyre është në një numër të vogël”. Raporti thekson se “do të ketë verifikime të mëtejshme nëse duhet të ketë ndërhyrje të tjera për një progres të plotë”. Kjo tregon se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet të parashikuara në bllokun 1, te Harta e Rrugës së Marrëveshjes për Vizat. “Procedura e sigurisë së pasaportave nuk është bërë brenda periudhës së parashikuar në raport”, thuhet në raport. Ndërsa theksohet se shpërndarja e plotë me pasaporta biometrike do të fillojë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në bllokun e II, raporti flet për emigracionin ilegal, duke theksuar se janë bërë disa progrese në fushën e menaxhimit të kufijve, çështjeve të azilit dhe migrimit. “Nevojitet një menaxhim i integruar i kufijve dhe një plan aktiv së bashku me Policinë e Kufirit, së bashku me rritjen e kapacitetit dhe investime në infrastrukturë. Duhet të instalohet Sistemi i Menaxhimit të Informacionit të Përgjithshëm në të gjitha pikat e kalimit të kufirit. Shqipëria duhet të vazhdojë të përmirësohet në sistemin e mbrojtjes detare dhe të fuqizojë bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare”, thuhet në raport. Për bllokun e rendit dhe të sigurisë, raporti bën të ditur se disa progrese janë bërë nga Shqipëria në përmbushjen e këtij detyrimi. Por theksohet se operacionet e iniciuara kanë qenë jo permanente. “Gjithsesi një progres i konsiderueshëm është ende i nevojshëm për të gjithë politikën që duhet ndjekur në këtë fushë. Implementimi i strategjive kyçe mbetet ende një sfidë dhe në planin e përgjithshëm për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar duhet të përdoren strategjitë e reja, të cilat do të adaptohen sipas standardeve evropiane. Një punë e konsiderueshme duhet bërë në implementimin dhe rregullimin e ligjeve ekzistuese”, thuhet në raport. Në të theksohet se, “operacionet e policisë janë të përkohshme, jo sistematike dhe bashkëpunimi me MEMEX mbetet i dobët. Mungesa e operacioneve dhe kapacitetit të investigimeve të hetimeve vazhdon të jetë një pengesë për zbatimin e ligjit. Bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të forcohet”. “Shqipëria ka bërë disa përmirësime për sa i përket sigurisë dhe rendit publik, por ende nuk ka arritur që të përmbushë të gjitha detyrimet për këtë bllok”, thuhet në raport. Për bllokun e katërt, atë të lirive dhe të drejtave themelore theksohet se, “Shqipëria ka bërë një progres mjaft të mirë për sa i përket detyrimeve, por ende ekzistojnë disa probleme”. “Kjo tregon se Shqipëria është në rrugën për të përmbushur detyrimet e këtij blloku, gjithsesi duhet të përqendrohen më shumë në mbrojtje ndaj minoritetit në luftën kundër diskriminimit”, thuhet në raport.
kriteret e be-se
Blloku I/ Dokumentet e Sigurisë
Shqipëria ka bërë një progres në përmbushjen e të gjitha detyrimeve
Procedura e sigurisë së pasaportave biometrike nuk është bërë brenda periudhës së parashikuar në raport.
Procesi i aplikimit ka filluar, por shpërndarja e tyre është në një numër të vogël, do të ketë verifikime të mëtejshme nëse duhet të ketë ndërhyrje të tjera për një progres të plotë.
Kjo tregon se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet të parashikuara në bllokun 1, Harta e Rrugës së Marrëveshjes për Vizat.
Blloku II/ Kufijtë
Nevojitet një menaxhim i integruar i kufijve dhe një plan aktiv së bashku mes Policisë së Kufirit dhe Imigrimit, së bashku me rritjen e kapacitetit dhe investime në infrastrukturë.
Duhet të instalohet Sistemi i Menaxhimit të Informacionit të Përgjithshëm në të gjitha pikat e kalimit të kufirit.
Shqipëria duhet të vazhdojë të përmirësohet në sistemin e mbrojtjes detare dhe të fuqizojë bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare.
Kjo tregon se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet specifike të bllokut 2 të kësaj harte.
Blloku III/ Rendi dhe Siguria
Disa progrese janë bërë nga Shqipëria në përmbushjen e detyrimit. Bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të forcohet.
Mungesa e operacioneve dhe kapacitetit të investigimeve të hetimeve vazhdon të jetë një pengesë për zbatimin e ligjit.
Shqipëria ka bërë disa përmirësime për sa i përket sigurisë dhe rendit publik, por ende nuk ka arritur që të përmbushë të gjitha detyrimet për këtë bllok.
Implementimi i strategjive kyçe mbetet ende një sfidë dhe në planin e përgjithshëm për sa i luftës kundër krimit të organizuar duhet të përdoren strategjitë e reja, të cilat do të adaptohen sipas standardeve evropiane.
Blloku i IV/ Liritë dhe të drejtat themelore
Shqipëria ka bërë një progres mjaft të mirë për sa i përket detyrimeve të bllokut katër, por ende ekzistojnë disa probleme.
Ligji bazë për sigurimin e lëvizjes së lirë dhe përshtatja me dokumentet është ende një problem për sa i përket sidomos komunitetit rom.
Lëvizja për implementimin e strategjive ndaj këtij komuniteti është i limituar po aq sa buxheti financiar.
Kjo tregon se Shqipëria është në rrugën për të përmbushur detyrimet e këtij blloku, gjithsesi duhet të përqendrohen më shumë në mbrojtje ndaj minoritetit në luftën kundër diskriminimit.