E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet me pronen 6 gra ende ne tarracen e pallatit

Ka shkuar në 6 numri i grave që tentojnë të hidhen nga kati i dhjetë i një pallati në Unazën e re. Njëra nga gratë ka zbritur rreth orës 21:00 nga tarraca e pallatit, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore, ndërsa 6 gratë e mbetura atje të kontaktuara për abc neës shprehen se do të vijojnë të qëndrojnë në tarracën e pallatit edhe 24 orë të tjera deri sa problemi i tyre me pronën të marrë zgjidhje, në të kundërt ato do të hidhen nga pallati.
Një ortakëri e cila nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar mes dy partnerësh në ndërtim ka sjellë një konflikt, i cili ka detyruar gratë e disa familjeve të ndërmarrin një protestë ekstreme që prej orës 7 të mëngjesit duke kërcënuar se do të vetëflijohen. Banorët pranojnë se kanë nënshkruar një kontratë me një ndërtues Alket Karemanin me të cilin kanë rënë dakord që të prishin shtëpitë e tyre në Unazën e Re, ku do të ndërtohej një pallat dhe ata do të përfitonin 14% të banesave aty. Ndërkohë Karemani duke patur probleme financiare, ka lidhur një tjetër marrëveshje me ndërtuesin Namik Pelivani, i cili ka marrë përsipër vijimin e ndërtimit të pallatit. Por këtu fillon kalvari për banorët. Pelivani tashmë thotë se ai ka vetëm një marrëveshje me ortakun e tij Karemani dhe sipas ligjit ai u detyrohet banorëve vetëm 8 % të banesave. Këtu banorët nuk bien dakord dhe pas negociatash të herë pas herëshme me ndërtuesin Pelivani, të cilin e akuzojnë edhe për presion situata ka degjeneruar deri në protestën ekstreme të grave të familjeve që kërcënojnë të hidhen nga pallati në ndërtim. Banorët, dy ndërtuesit dhe pronari i tokës tentuan një përballje për të zgjidhur problemin në ambjentet e komisariatit numër 6, por pa sukses.
Pritet që negociata mes familjarëve dhe ndërtuesit të pallatit të vijojnë sërish deri në gjetjen e një zgjidhje ndërsa gratë që janë ngujuar në tarracën e pallatit kërcënojnë se nuk do të heqin dorë nga protesta e tyre deri në një marrjen e një përgjigje përfundimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›