Zgjedhjet, pikat ku PD e PS nuk janë dakord
TIRANË- Shtyrja edhe me një muaj e mandatit të Komisionit të posaçëm kuvendor për Reformën Zgjedhore nuk ka ardhur vetëm për shkak të volumit të madh të punës që ka ky komision dhe ekspertët që ka angazhuar ai për hartimin e draft-kodit të ri zgjedhor. Arsyet janë më të thella dhe duket se kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet mes dy forcave të mëdha politike, kryesisht për kapitullin që ka të bëjë me administrimin e procesit zgjedhor. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje bashkëkryetari socialist i këtij komisioni Fatmir Xhafaj gjatë raportimit në lidhje me ecurinë e reformës përpara grupit të tij parlamentar.
Grupi
Përveç çështjeve të rendit të ditës, grupi parlamentar socialist gjatë mbledhjes së tij të djeshme është përqendruar edhe tek reforma zgjedhore, për të cilën bashkëkryetari Fatmir Xhafaj ka informuar për çështjet e diskutuara dhe miratuara deri më tani. Burime pranë grupit kanë bërë të ditur për gazetën se gjatë këtij raportimi, Xhafaj ka ndarë punën e kryer në dy pjesë, në arritjet dhe mosarritjet e Komisionit. Kështu, siç mësohet Xhafaj midis të tjerave ka renditur një sërë çështjesh për të cilat duket se ka ende shumë debat dhe për të cilat palët janë ende larg në qëndrimet e tyre, çështje që në tërësinë e tyre kanë të bëjnë me kapitullin që përcakton rregullat dhe mënyrën e administrimit të procesit zgjedhor. Një prej çështjeve që ka ngjallur jo pak debat në grupit ekspertëve është ajo që ka të bëjë me komisionet zgjedhore në të gjitha nivelet, nga KQZ-ja deri tek KQV-të, për të cilat PS mësohet se i mbetet qëndrimit për të reduktuar numrin e tyre në 5 anëtarë, sipas një formule 2+2+1, ku dy përfaqësues të jenë të propozuar nga mazhoranca, dy nga opozita dhe një të jetë juristë. Duket se PD heziton të japë pëlqimin për një propozim të tillë, pasi nuk beson tek një përbërje ose paanësia e përfaqësuesit të pestë të komisionit. Gjithashtu një tjetër çështje për të cilën ekspertët e dy partive të mëdha nuk kanë mundur të gjejnë deri më tani konsensusin është edhe përcaktimi në Kod i Gjykatës së Lartë si organi më i lartë ligjor i cili të mund të shqyrtojë ankimimimet dhe kërkesat dhe që mund të ketë kompetencën e plotë për të shpallur të pavlefshëm një mandat deputeti për shkak të parregullsive, rol të cilin deri më tani e ka luajtur Kolegji Zgjedhor i ngritur pranë Gjykatës së Apelit. Por për të gjitha këto çështje, pavarësisht dallimeve midis dy të mëdhave, pritet të ketë dhe një reagim të ashpër edhe nga partitë e vogla të cilat preken direkt nga reduktimi i numrit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore.
Konsensusi
Megjithëse përbën një prej hallkave, pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve, dy partitë e mëdha duket se kanë mundur që të bien në ujdi për grupet e numërimit, të cilat ashtu si më parë do të kenë një përbërje politike, ndërsa është rënë dakord që të gjitha ato parti politike që nuk do të kenë të drejtën për të pasur përfaqësues në to do të kenë të drejtën të përcaktojnë vëzhgues. Gjithashtu ekspertët kanë rënë dakord edhe për përcaktimin e kufijve dhe ndarjen e mandateve në zonat zgjedhore. Kështu mësohet se është rënë në konsensus që çdo qark të jetë një zonë zgjedhore, ndërsa numri i mandateve do të ndahet sipas një mesatareje të përgjithshme sipas numrit të popullsisë me të drejtë vote që ka çdo zonë. Më parë komisioni siç është bërë edhe publike ka miratuar sanksionimin në Kodin Zgjedhor të koalicioneve të përbëra si dhe përfaqësimin e grave në listat e kandidatëve në kuotën e 30-it.
Komisioni për zgjedhjet, mandati zgjat edhe një muaj
TIRANË- Kuvendi ka miratuar mbrëmë shtyrjen edhe me një muaj tjetër të mandatit të komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Vonesat e krijuara për shkak të pushimeve të verës, por edhe mosmarrëveshjet mes palëve për një sërë çështjesh kanë sjellë nevojën për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së këtij komisionit deri në fund të muajit tetor. Sipas vendimit të seancës së djeshme parlamentare, mandati i këtij komisioni zgjatet deri më 31 tetor, çka përbën dhe herën e dytë kur Kuvendi i është dashur që të ndërmarrë një vendim të tillë. Ngritja e komisionit u miratua në prill, por për shkak të mungesës së vullnetit politik, ai nuk arriti të mblidhej asnjëherë gjatë kësaj kohe, përveç takimit të konstituimit me pjesëmarrjen e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Ndërsa në fund të qershorit Kuvendit iu paraqit kërkesa nga dy bashkëkryetarët për shtyrjen e mandatit edhe me 3 muaj të tjera. Por pavarësisht përpjekjeve dhe besimit të shprehur nga dy forcat kryesore politike as gjatë kësaj periudhe nuk u arrit të mbyllej e gjithë puna për reformimin e Kodit Zgjedhor. Deri më tani janë miratuar afërsisht 70 nene ndërsa mbeten ende për të kaluar për diskutim dhe më pas për miratim në komision edhe afro 100 nene të tjera.