E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumat financiare për kompensimin në vlerë të pronarëve deri në vitin 2012



Ervin KOÇI

Qeveria ka vendosur që të shtojë nga viti në vit shumën e fondeve për kompensimin financiar të ish-pronarëve, deri në përfundimin e plotë të procesit. Nga të dhënat e marra nga Ministria e Financave në lidhje me shifrat e programit buxhetor afatmesëm të qeverisë, shikohet qartë sasia e fondit që do të shtohet nga viti në vit për kompensimin e ish-pronarëve. Ky vendim ka marrë dhe fuqi ligjore pak ditë më parë, pas botimit në Fletoren zyrtare. Për këtë vit, shifra e parashikuar në Buxhetin e Shtetit është 600 milionë lekë dhe kompensimi pritet të nisë në muajin shtator. Në garë për këtë fond janë rreth 520 ish-pronarë, të cilët aplikuan sipas afateve zyrtare deri më 14 korrik të këtij viti. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas nenit 24 të ligjit, po bën pagesat e kompensimit të ish-pronarëve që përfitojnë nga fondi që shteti ka caktuar prej vitit 2005 për këtë proces, ndërsa dhënia e vendimeve për njohjen e pronës është ndërprerë më 31 qershor 2008. Sipas ligjit, procesi i kompensimit financiar të ish-pronarëve është më i gjatë në kohë dhe parashikohet të përfundojë në vitin 2015.

Shifrat

Rreth 4,2 miliardë lekë parashikon të shpenzojë qeveria për periudhën 2009-2012 si fond për kompensimin e të gjithë ish-pronarëve në vendin tonë. Në programin buxhetor afatmesëm për vitin 2009 është miratuar vlera prej 600 milionë lekësh, ndërkohë që për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2012 pritet që shifra të arrijë në 1,2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2012 në 1,7 miliardë lekë në dispozicion të ish-pronarëve. Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar. “Realizimi i procesit të njohjes kthimit dhe kompensimit të pronave do të përcaktohet në një kohë sa më të shkurtër dhe kthimi fizik i pronës do të bëhet në kufijtë maksimal, aty ku është e mundur dhe në pamundësi kompensimin e saj sipas formave të përcaktuara në ligj, kompensim fizik ose kompensim financiar”, - thekson dokumenti. Ky program do të shoqërohet edhe me rivlerësim të përvitshëm të treguesve të hartës së vlerës së tokës, ku përcaktohet vlera në lekë për m2 sipërfaqe trualli për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke iu përshtatur çmimit të tregut për një vlerësim sa më real të pronës.

Pronarët që përfitojnë

Për vitin 2009 do të jenë rreth 130 pronarë të kompensuar në të holla, pra financiarisht për pronat e subjekteve të shpronësuara. Një shtim nga viti në vit do të pësojë numri i ish-pronarëve që do të kompensohen financiarisht. Kjo është një prej synimeve kryesore të përcaktuara për vitin 2010. Janë planifikuar 140 pronarë që do të kompensohen në të holla për pronat e subjekteve të shpronësuar. Gjatë vitit 2011 është parashikuar që numri i ish-pronarëve që do të kompensohen financiarisht të arrijë në 150. Gjithashtu gjatë 2011 është parashikuar rivlerësimi dhe azhurnimi i hartës së vlerës, por edhe shtimi i pajisjeve për mirëfunksionimin e administratës.

Buxheti Faktik (milionë lekë) 2009 2010 2011 2012
Kompensimi në vlerë i pronarëve 600 700 1,200 1,700

INSTAT: Inflacioni në korrik 2.2 %, bien çmimet e ushqimeve

Bie kostoja e jetesës në vend. Futja në treg e prodhimit vendas bujqësor ka shkaktuar uljen e çmimeve të ushqimeve, çka ka bërë që qytetarët shqiptarë të shpenzojnë më pak për të jetuar. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin korrik arriti në 101.8 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.7 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin korrik është 2.2 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 2.0 për qind, me një ndikim prej – 0.8 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 11.0 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”, ku mund të veçohen ulja e çmimit të specave me 32.6 për qind, domateve me 30.6 për qind, patëllxhaneve me 23.0 për qind, trangujve me 13.3 për qind etj. Ndërsa indeksi në nëngrupin “Fruta” shënoi një ulje prej 6.4 për qind, ku mund të veçohen ulja e çmimit të shalqinit me 44.7 për qind, rrushit me 23.4 për qind, pjeprit me 24.7 për qind, dardhëve me 18.4 për qind, kumbullave me 11.0 për qind etj. Gjatë muajit korrik çmimet janë ulur edhe në disa nga nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçohen uljet në nëngrupet “Bukë e drithëra” 0.5 për qind, “Vajra dhe yndyrna” 0.3 për qind, “Qumësht, djathë e vezë” 0.2 për qind etj. Gjatë këtij muaji, indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimi i këpucëve ulet me 0.3 për qind, ndërsa indeksi i grupit “Transport” shënoi një ulje prej 0.1 për qind. Gjatë muajit korrik çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.4 për qind dhe çmimi i benzinës 2.1 për qind. Edhe indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 0.5 për qind. Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 1.2 për qind, ku veçohet rritja e çmimeve të medikamenteve dhe produkteve të tjera farmaceutike me 1.3 për qind.

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›