E Diel, 1 Nëntor 2026

TRAFIKU I ORGANEVE. Banorët ndalin delegacionin e KE-së: Nuk ka kontroll pa mandat ligjor

Misioni faktmbledhës i KE-së erdhi në Shqipëri për verifikimin e akuzave të serbëve. Historia e trafikut të organeve nisi pas publikimit të librit “Gjuetia”, të Karla del Pontes

“Shtëpitë tona nuk i kemi han me dy porta. Nëse keni ardhur të bëni kontrolle, ejani sipas rregullave të shtetit, me dokumente dhe leje nga prokuroria. Nëse nuk i keni lejet, shkoni në shtëpitë tuaja e bëni ç’të doni”. Pikërisht me këto fjalë janë përballur dje reporterët faktmbledhës të KE-së, që janë duke verifikuar vërtetësinë e pistës së një trafiku të mundshëm organesh të kryer nga ushtarët e UÇK-së me viktimat serbe në Mat. Banorët e fshatit Gurrë në Mat i kanë mbajtur të bllokuar dje për më shumë se dy orë hetuesit e Këshillit të Europës, të cilët po tentonin të hetonin akuzat e Serbisë, sipas së cilës, UÇK-ja ka trafikuar organet e serbëve. Banorët nuk kanë pranuar që përfaqësuesit e KE-së, me në krye kryesuesin e misionit, Dik Marti, të vëzhgojnë banesën në të cilën thuhet se u janë marrë organet serbëve. Ata u kanë dalë makinave të hetuesve përpara duke i bllokuar ata për më shumë se dy orë. Mësohet se banorët kanë pretenduar një dokument të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilën duket se përfaqësuesit e KE-së nuk e dispononin. Kjo gjë ka mbajtur të bllokuar dhe pa mundur të vëzhgojnë banesën në Mat. Banorët thanë se nëse do t’u tregohej dokumenti i Prokurorisë së Përgjithshme, atëherë ata do t’i lejonin hetuesit të hynin në banesë. Tirana zyrtare i ka komunikuar të dërguarit të Këshillit të Europës, Dik Marti, se nuk mund të hetohet në Shqipëri mbi akuzat e Karla del Pontes dhe autoriteteve të Beogradit rreth pretendimeve se UÇK-ja ka trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë. “Të drejtën për të hetuar në territorin e Shqipërisë e ka vetëm Prokuroria shqiptare”, mësohet t’i ketë thënë ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, senatorit zviceran që kryeson grupin e hetimit në emër të Këshillit të Europës, në takimin e zhvilluar në Tiranë tri ditë më parë.
Refuzimi
“Unë refuzoj të besoj se këto janë të vërteta, por do të na pëlqente që kjo çështje të hetohej”, - i ka thënë Marti ministrit shqiptar të Drejtësisë. Por, përgjigjja e Alibeajt ka qenë: “Unë refuzoj t’i përgjigjem letër-porosisë së Ministrisë serbe të Drejtësisë, pasi pretendimet janë pa bazë dhe nuk ka prova mbi këto akuza”. Argumenti ka vijuar më tej kur ministri ka shpjeguar se “në asnjë rast shtetasit e huaj nuk kanë të drejtë të kryejnë veprime procedurale hetimore në territorin shqiptar. Hetimet mund të kryhen nga Prokuroria shqiptare vetëm me kërkesë, letër-porosi që vjen nga shtetet e huaja. Në këto raste Prokuroria kryen të gjitha veprimet për zbardhjen e çështjes”.
E njëjta bisedë mësohet gjithashtu se është zhvilluar pak a shumë edhe me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani dhe me drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme. Qëndrimi zyrtar i institucioneve shqiptare rreth hetimit për akuzat e Karla del Pontes është ai i shprehur në një përgjigje që i është kthyer Prokurorisë serbe në tetor të vitit 2008.
Serbët
Kjo kërkesë është paraqitur në formën e një akti të quajtur "Letër-porosi", ku autoritetet e Beogradit kërkonin vënien në dispozicion të provave dhe dokumenteve. “Por, një kërkesë për ndihmë hetimi do të duhet të tregojë në mënyrë të qartë dhe të saktë se cilat janë aktet konkrete kriminale të kryera dhe veç këtyre cilat janë burimet e provave. Madje, vetë kërkesa e bërë nga Prokuroria serbe, që thotë se deri tani nuk ka njohuri të sigurta mbi llojet dhe format e torturave. Sipas ministrit Alibeaj, propozimi serb ishte thjesht dhe vetëm një kërkesë e bazuar në asnjë lloj fakti të marrë në formë ligjore. “Sipas rendit juridik serb ishte thjesht dhe vetëm një kërkesë, e cila nuk është gjë tjetër veçse pasojë e thënies në librin e zonjës Del Ponte. Sigurisht që serioziteti i një bashkëpunimi juridik midis institucioneve shtetërore apo ndërkombëtare kërkon seriozitet më të madh sa kaq, sepse një hetim, nëse do të donim të ishte i suksesshëm edhe para gjykatave siç pretendon Prokuroria serbe, duhet që dhe procesi i hetimit të ishte po kaq serioz”, - ka thënë Alibeaj.

Ina Rama “i dha duart” prokurorit serb që kërkoi të hetonte

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka takuar katër muaj më parë prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili ka mbërritur në Shqipëri së bashku me zëvendësprokurorin e zëdhënësin e tij. Interesimi i prokurorit serb lidhet me pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia”, të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, e cila është deklaruar se ka pasur trafik organesh të qytetarëve serbë në një bazë në veri të Shqipërisë. Megjithatë, pretendimet e prokurorit serb nuk kanë shkuar më tej se ato të librit të Karla del Pontes, pasi përveç denoncimit që bëhet në librin e Del Pontes, Vukçeviç nuk ka sjellë asnjë provë apo indice me vete që do të mund të jepte ”shenja jete” për këtë dosje që deri tani ka bërë veç jehonë mediatike pasi gjurmët konkrete nuk gjenden askund. “Prokurorja e Përgjithshme bëri prezent gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët (të kryera që në vitin 2005) që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta”, - saktësonte lidhur me rezultatet e hetimit zyra e shtypit e prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›