Doganat shqiptare në vështirësi, realizohet vetëm 88 % e të ardhurave
Doganat shqiptare e kanë pasur këtë periudhë të vitit 2009 më të vështirën e 5 viteve të fundit. Për herë të parë gjatë gjithë kësaj periudhe realizimi i të ardhurave plani doganore nuk ka mundur të kapë as 90 për qind të planifikimit. Sipas të dhënave zyrtare të vetë doganave rezulton që në periudhën janar korrik plani është realizuar vetëm 88 për qind me një mosrealizim që shkon deri në 55 milionë euro. Mosrealizimi i kësaj periudhe duket se është shkaktuar më së shumti nga karburantet. Shifrat doganore tregojnë se gati gjysma e deficitit doganave, u është shkaktuar nga një mall i vetëm që janë karburantet të cilët zënë çerekun e të ardhurave. Kështu, ndonëse në sasi krahasuar me 6-mujorin e parë 2008 ku janë zhdoganuar 182 mijë ton karburante kemi rritje në rreth 190 mijë ton në vlerë, ndodh e kundërta. Ulje e çmimit ka sjellë që nga nafta të merren 10.6 miliard lekë në një kohë që një vit më parë ishin mbledhur 12.3 miliardë lekë. Por rënia e të ardhurave të doganave është njëkohësisht edhe pasojë e rënies së volumit të tregtisë me jashtë. Importet e vendit kanë rënë krahasimisht këtë gjashtëmujor me 5 miliard lekë kurse eksportet me 700 milionë. Këto tregues janë sinjale të forta të vështirësive në rritje me të cilat pritet të ndeshen doganat e për pasojë edhe të ardhurat e buxhetit.
11 Gusht 2009