E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemi PDK

PDK është pajtuar se nuk mund ta ketë edhe postin e Kryeministrit, edhe të Presidentit. Por, në parti janë shfaqur dilema për Behgjet Pacollin. Disa deputetë të PDK’së mund të mos e votojnë atë në Kuvend. Kjo do të nënkuptonte çuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, Hashim Thaçi shpreson që deri të mërkurën t’i bind njerëzit e tij që ta ndërrojnë mendjen për liderin e AKR’së. Nga Valmir Klaiqi më 14 shkurt 2011 në ora 08:29

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka diskutuar rreth katër orë, të dielën pasdite, për krijimin e koalicionit të mundshëm me Aleancën Kosova e Re.

Mandatari për krijimin e Qeverisë u ka treguar anëtarëve të Kryesisë kushtet e paraqitura nga AKR e Behgjet Pacollit.

Burime të Express brenda takimit kanë bërë të ditur se PDK tashmë është pajtuar se nuk mund ta ketë edhe postin e Kryeministrit, edhe atë të Presidentit.

Por, në PDK janë shfaqur dilema nga disa zyrtarë për emrin tjetër për President, atë të kreut të AKR’së, Behgjet Pacolli.

“Jakup Krasniqi mund të lëshojë pe, sepse ai nuk bllokon punë kur është në pyetje krijimi i institucioneve, por problemi është se ka zyrtarë, të cilët kanë shfaqur dilema rreth zotit Pacolli. Në këtë mbledhje është diskutuar për këtë, sepse disa zyrtarë (deputetë) mund të mos e mbështesin, pra të mos e votojnë zotin Pacolli në Kuvend, për arsye se mendojnë se ai nuk është njeriu i duhur për President”, ka treguar një zyrtar i lartë i PDK’së në kushte anonimiteti.

Sipas tij, dilemat e shfaqura të zyrtarëve të caktuar kanë të bëjnë me frikën nëse Behgjet Pacolli është person unifikues i qytetarëve dhe nëse ai me të vërtetë mund ta mbrojë kushtetutshmërinë në institucione.

“Të hënën kryeministri do t’i takojë edhe njëherë strukturat e partisë së bashku dhe të diskutojë edhe njëherë me të gjithë oferta e fundit të PDK’së për AKR’në. Presim që procesi të përmbyllet deri të mërkurën”, ka thënë burimi i gazetës brenda PDK’së.
Nëse Pacolli nuk do të votohej për President në Kuvend, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Deri të mërkurën, Hashim Thaçi shpreson t’i bind njerëzit e partisë së tij që ta ndërrojnë mendjen për kryetarin e AKR’së.
Express ka mësuar se Thaçi, së bashku me zyrtarë të lartë të PDK’së do të takohen sërish me kreun e AKR’së, Behgjet Pacolli, ndërsa pas këtij takimi, Thaçi do të diskutojë në Këshillin Drejtues të partisë.

Se bisedat dhe mundësia e arritjes së marrëveshjes mes PDK’së dhe AKR’së janë të mëdha, e ka konfirmuar të dielën mbrëma, pas takimit të Kryesisë së PDK’së, Memli Krasniqi.
“Ka pasur diskutime konstruktive për mënyrën e vazhdimit të hapave të ardhshëm në këtë drejtim dhe, po ashtu, edhe për bisedimet që do të vazhdojnë me koalicionin e AKR’së.

Ne besojmë që do të ketë qysh nesër takime të reja. PDK është pajtuar që të vazhdojë me takime edhe nesër - me takimet e organeve vendimmarrëse, duke përfshirë edhe Kryesinë, edhe Këshillin Drejtues, në mënyrë që ditëve të ardhshme të kemi një finalizim edhe të marrëveshjes dhe të hapave të mëtutjeshëm”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqi, PDK dhe AKR kanë përafrim qëndrimesh, ndërsa për çështjen e Presidentit do të bisedohet në ditët e ardhshme.

“Të dy palët kanë qëndrimet fillestare dhe pastaj shkohet në drejtim të përafrimeve dhe në drejtim të arritjes së hapësirës së përbashkët, ku të dy palët e gjejnë vetveten dhe i realizojnë qëllimet dhe objektivat e tyre politike, në radhë të parë në të mirën e qytetarëve dhe të vendit. Edhe ne jemi në atë drejtim me AKR’në, dhe në të dy palët ka një besim se do të gjendet rruga e përbashkët për t’u arritur marrëveshja”, ka thënë Krasniqi.

Kryesia e PDK’së në takimin e së dielës është marrë edhe me programet e dy partive që mund të bashkëqeverisin.

“Pas këtyre diskutimeve rreth programeve dhe çështjeve në parim, atëherë do të vijë një moment kur do të vendoset edhe për emra, si për Presidencë, ashtu edhe për përbërjen e kabinetit qeveritar”, ka theksuar Krasniqi.

Ai, po ashtu, ka thënë se fjala “kusht” tashmë nuk po përmendet nga asnjëra palë dhe kjo, sipas tij, ka rëndësi, për shkak të presioneve të ndryshme.

“Ne nuk duam që ta personalizojmë këtë proces, por jemi duke biseduar për parimet dhe politikat qeverisëse. Krijimi i Qeverisë së re, i institucioneve është interes i gjithë qytetarëve”, ka thënë Krasniqi, duke paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve të reja ndërmjet PDK’së dhe AKR’së.

Oferta e parë e PDK’së është refuzuar nga AKR’ja, e cila dëshiron postin e Presidentit, një zëvendëskryeministër, gjashtë ministra dhe gjashtë zëvendësministra. Në të kundërtën, preferon të mbetet në opozitë.

Të dielën nuk është zhvilluar ndonjë takim ndërmjet krerëve të dy partive.

Me Listën OK
Rreth përfshirjes së Listës Dr. Ibrahim Rugova në Qeveri, tashmë është arritur një marrëveshje parimore. “Ne jemi të përqendruar me përfundimin e bisedimeve me Koalicionin e AKR’së. Me Listën ‘Dr. Ibrahim Rugova’ kemi tashmë një pajtim në parim, për të qenë bashkë në Qeveri. Detajet e marrëveshjes do të finalizohen në takimet e ardhshme gjatë javës”, ka thënë, të dielën, Memli Krasniqi, anëtar i Kryesisë së PDK’së. Më herët gjatë ditës, Astrit Haraqija, njëri ndër themeluesit e Listës, ka thënë për Kosovapress se ky subjekt politik ende nuk ka marrë ofertë zyrtare nga PDK-ja për bisedime. Ai ka pohuar se ka pasur takime joformale me mandatarin për formimin e Qeverisë, Hashim Thaçi, por nuk kanë marrë ofertë zyrtare. “Jemi në përgatitje dhe kemi pasur takime joformale me mandatarin e qeverisë”, ka theksuar Haraqija, duke bërë të ditur se Lista nuk ka kushte për të hyrë në koalicion.
Lista Dr. Ibrahim Rugova në zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka fituar një mandat në Kuvendin e ri të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›