E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursohet Agimi

Ministria e Punës dhe Mirëqenies i ka dhënë Agjencionit Kosovar të Biznesit 100 mijë euro pa pikë procedure dhe forme ligjore. Bile transaksioni është bërë në kohën kur buxheti s`është miratuar dhe thuajse pagesat nuk duhet të bëhen. Ky marifet u bë në emër të organizimit të Bursës së Punësimit Kosova 2011. Nga Albulena Maloku më 13 shkurt 2011 në ora 10:05

Me Ligjin e Prokurimit Publik asnjë autoritet publik nuk guxon të bëjë pagesë prej 100 mijë eurove pa ofertë publike. Ministria e Punës ka shkelur këtë ligj me dhënien e 100 mijë eurove për “Bursën e Punësimit Kosova 20011”. Këto mjete janë ndarë nga kjo ministri pa asnjë procedurë tenderimi. Burime brenda qeverisë kanë treguar për Express se këtë shumë Ministria ia ka ndarë Aleancës Kosovare të Biznesit për organizmin e këtij panairi për këtë vit, pa shpallur ofertë publike dhe pa iu nënshtruar asnjë procedure ligjore.

“Këto të holla Ministria i ka ndarë në kundërshtim me ligjin, sepse nuk ka shpallur as tender për këtë”, thotë burimi.
Sipas ligjit, për çdo blerje-shitje dhe pagesë mbi 1 mijë duhet të shkohet me ofertë publike.

Kjo ndalesë precizohet në nenin 19 në Ligjin e Prokurimit.

”Konkursi i projektimit në kuadër të së cilit shuma e përgjithshme e çmimeve dhe pagesave për pjesëmarrësit është e barabartë ose më e madhe se, ose me arsye pritet të jetë e barabartë me ose më e madhe se 10 mijë euro, por më pak se 100 mijë euro”, thuhet në këtë ligj.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës, thotë se nuk është në dijeni nëse është shpallur tender për këtë.

”Nuk kam njohuri rreth kësaj, vetëm e di se janë dhënë këto të holla, sepse nuk kam qenë ato ditë këndej”, thotë Gaxhiqi.

Defrim Rifaj, drejtor i Departamentit të Punës, edhe pse deklarohet se s`merr fort vesh në çështje ekonomike, thotë se ndarja e këtyre mjeteve mundësohet përmes memorandumit që e kanë të nënshkruar këto dy institucione për organizimin e kësaj burse.
Ai tha se kjo lejohet me ligjin e transfereve.

“Kontaktoni kabinetin e ministrit për këtë sepse ata janë në dijeni më shumë për këtë çështje”, tha Rifaj.

“Është viti i tretë me radhë që i ndajmë nga 100 mijë euro për Bursën e Punësimit”, tha Rifaj për Express. Sipas tij, me këtë mundësohet që punëkërkuesit të jenë më afër bizneseve dhe të gjejnë punë shumë më lehtë.

Ky panair, sipas tij, është i suksesshëm sepse arrihet të punësohen një numër i konsiderueshëm i njerëzve. Ditë më parë është arritur nënshkrimi i marrëveshjes së mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Aleancës Kosovare të Biznesit, që ka për qëllim zhvillimin e mëtejmë të projektit “Bursa e Punësimit Kosova 2011”.

Projekti i dizajnuar nga Ministria e Punës ka për objektiv zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacioneve në mes të subjekteve të tregut të punës, harmonizimin më të mirë të ofertës dhe kërkesë në tregun e punës si dhe krijimin dhe avancimin e marrëdhënieve me partnerët.

Projekti “Bursa e Punësimit” është tanimë tradicional, i shtrirë në disa pjesë të Kosovës duke startuar këtë vit edhe me organizimin e kësaj burse në komunën e Mitrovicës dhe Ferizajt, që më parë nuk ishin. Sipas raporteve statistikore në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS), “Berëza e Punësimit 2009” ka rezultuar e suksesshme dhe si rezultat i saj vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2008, është rritur përqindja e punësimit për 24 për qind. Një numër i vogël i njerëzve arriti të punësohet.
Bursa e punësimit:
Projekti “Bursa e punësimit” mbahet që tri vjet dhe tashmë po bëhet panair tradicional. Projekti është organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe nën patronatin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Me këtë bursë, drejtuesit e kësaj organizate dhe institucioneve mendojnë të ulin numrin e papunësisë në vend.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›