Tunizianët vërshojnë Italinë

Mijëra migrantë ilegalë nga Tunizia kanë ardhur ditët e fundit në ishullin italian të Lampedusës. Qeveria e Romës i ka kërkuar ndihmë Bashkimit Evropian.
Brukseli duhet të dërgojë pa vonuar në Tunizi njësi të agjencisë evropiane për mbrojtjen e kufijve, Frontex, të cilët duhet të patrullojnë përgjatë bregdetit thuhet në një letër të ministrisë së Jashtme në Romë.
Ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, kërkon të mos i hapë kampet e refugjatëve në Lampedusa, me gjithë gjendjen emergjente.
Ai do t`i dërgojë refugjatët në kampe të tjera pritëse në Itali.
Sipas të dhënave të policisë italiane, në Lampedusa ndodhen aktualisht rreth 1200 refugjatë anijesh, rreth 3 mijë kanë zbarkuar gjatë tri ditëve të fundit në ishull.
Maroni tha se Italia është duke ndier pasojat e krizës politikë në Tunizi.
"Qindra vetë nga këto vende vijnë në Itali. Ne jemi duke bërë gjithçka që të përballojmë këtë emergjencë humanitare", tha Maroni.
Qeveria italiane ka shpallur ditën gjendjen e jashtëzakonshme humanitare, për të vënë në aktivitet mbrojtjen civile.
Përveç kësaj do të forcohet edhe prezenca ushtarake në Lampedusa.