E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemi i madh dhe problemet e “vogla”

Skënder Minxhozi 

Kur në fillimet e tij “Dialogu me Shqipërinë” lançoi idenë e një politike të re, antitezë dhe antonim i politikës së vjetër të klasës politike të Tiranës, shumëkush mendoi se ky ka qenë një operacion taktik i kreut të PS-së, Edi Rama, me qëllime të shumëfishta, kryesisht për atë vetë si kryetar i opozitës. Në disa muaj takime të zhvilluara me stoicizëm në zona nga më të pamendueshmet e Shqipërisë, Rama kërkoi të tërheqë pas vetes jo vetëm një numër telekamerash e gazetarësh, një mekanizëm i paevitueshëm propagande e marketingu politik, por edhe të zgjojë vëmendjen e lodhur të shqiptarëve me idenë e thjeshtë se Shqipëria ka disa probleme të vjetra, që mbeten rregullisht pa zë, për shkak se jeta politike dhe bota e informacionit rrotullohen rreth fiksioneve, më shumë sesa rreth realitetit. Gjetja, të paktën formalisht, është e qëlluar. Pas 18 vjetësh nga ndryshimi i sistemit, vendi ka pak a shumë të njëjtat halle dhe të njëjtët “bartës” profesionistë të tyre, që sa herë që afrohen fushatat elektorale premtojnë zgjidhje e po aq herë s’bëjnë gjë tjetër vetëm se mashtrojnë ditën për diell. Qeverisja aktuale është vetëm shembulli më i freskët në këtë ballo me maska. Nga ana tjetër, kriticizmi i brendshëm dhe i jashtëm që po i bëhet kreut të PS-së lidhur me fushatën e tij “rurale”, ka të bëjë me faktin e thjeshtë të orientimit nëpër listën e prioriteteve që një opozitë duhet të ketë në punën e saj ditore dhe perspektive. Sipas kritikëve të Ramës, Shqipëria e sotme ka një problem të madh, i cili lidhet parimisht me keqfunksionimin e shtetit të së drejtës në kuptimin e tij parësor. Prezenca e Berishës jepet me këtë rast si prova dhe burimi i kësaj të keqeje që ka kapur për gryke gjithë shoqërinë shqiptare. Një analizë kjo e cila kurdoherë ka pasur jo pak përkrahës brenda të majtës, por që në kushtet e një klime të zbutur mes pozitës dhe opozitës, fiton edhe elementet e një akuze të hapur, kundër “shitjes” së interesave të opozitës së majtë. Për këtë pjesë të politikanëve të opozitës Berisha nuk duhet lënë të qeverisë i qetë, pasi duke qeverisur në kushte komode, ai po shkakton edhe më shumë dëme sesa po të ndodhej në trysninë e një opozite agresive. Mesa duket ky është një problem i thjeshtë interpretimi pragmatik, sepse duket qartë tashmë se Rama ka zgjedhur, jo pa vetëdije, që ta lërë “të qetë” Doktorin që të qeverisë, pra që t’i prishë punë vetes, siç duket se mendon kryetari socialist. Paralelisht me këtë arsyetim, duket se Rama ka shumë për zemër që të predikojë në mënyrë të përsëritur tezën e tij të një liste tjetër prioritetesh, më të prekshme dhe më të drejtpërdrejta, siç janë bujqësia, infrastrukturat, energjia, punësimi apo statusi social i shtresave në nevojë. Kjo përzgjedhje diametralisht e kundërt e tezave dhe taktikave, po sjell një amulli të lexueshme brenda opozitës së sotme, e cila nuk duket e grupuar, edhe për disa arsye të tjera shumë më pak fisnike, rreth një projekti politik unitar.
Kjo strategji përbën sot një mollë të vërtetë sherri jo vetëm mes PS-së e ish-aleatëve të saj, por edhe mes vetë kryetarit të partisë dhe një pjese të stafit rreth tij, që vijon të reklamojë luftën e hapur kundër PD-së. Kësisoj Edi Rama duket se ka një sfidë të dyfishtë para vetes. Të forcojë PS-në dhe ta rikthejë atë në formatin e një alternative për pushtet, por njëkohësisht t’i japë të drejtën publike vetes dhe projektit të tij që synon kryerjen e reformave të përbashkëta me palën tjetër, uljen e toneve dhe të tensionit dhe afishimin e sfidave të mëdha sociale që do t’i duhet të zgjidhë qeverisë së nesërme të majtë.
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë testi final, që do të na thonë nëse ky ekuilibër mes krizës demokratike të shtetit dhe problemeve të mëdha ekonomike e sociale, ashtu siç i sheh kreu i PS-së sot dhe kështu siç ai i ka vendosur brenda axhendës aktuale politike të PS-së, do të rezultojë i drejtë dhe i besueshëm për votuesin shqiptar. Ndodhemi përballë një gote që secili mund të shohë sot, një vit para votës, si gjysmë të mbushur ose në të kundërt si gjysmë të boshatisur. Vetëm se, si sot një vit ky iluzion optik do të marrë një përgjigje numerike. Rama ka vendosur të bëjë një eksperiment. Ndoshta ai i beson shumë frymës së re që beson se mishëron sot në skenën politike, aq sa për të bazuar thuajse gjithçka mbi këtë linjë politike që pajton uljen e tensionit politik në qendër, me kërkesën e konsensusit popullor në rrugët me pluhur dhe fshatrat pa drita. Nëse ky ekuacion do të nxjerrë fitimtar Edi Ramën, do të kemi triumfin e një politike që cilësorin “e re” e mbështet tek simbioza e një paqeje sipërfaqësore me Berishën dhe një votë masive popullore. Në të kundërt, nëse gjithçka dështon, të nesërmen e zgjedhjeve, kur do të dimë shumë më tepër lidhur me atë që është raporti faktik i forcave, do të shohim edhe një herë në fronin e fitimtarit ata që sot thonë se, politika shqiptare bëhet sipas disa skemave që nuk mund të ndryshojnë as brenda ditës, as brenda muajit apo vitit. E sigurt është që po jetojmë kulmin e një beteje mes dy stilesh politike, atij konservator, të përfaqësuar nga politikanë të vjetër në vizion, më shumë sesa në moshë që i kemi parë në të gjitha ofiqet e mundshme të shtetit këto 20 vjet dhe një personi që, me “hipotekën” e Tiranës në dorë, kërkon të marrë edhe frenat e Shqipërisë. Një dilemë ekzistenciale më shumë se elektorale...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›