“Investitorët do kenë mbështetje të plotë, Shqipëria mbështet investimet e huaja”

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e spitalit italo-shqiptar SALUS
“Ne do të bëjmë gjithçka, në një reformë shëndetësore që qytetarët shqiptarë të mund ti blejnë shërbimet aty ku ata i konsiderojnë më të mira. Është normale që çdo i huaj të shtrojë pyetjen se Çfarë është Shqipëria. Unë dua tu garantoj, se përgjigjja më e ndershme dhe më e drejtë është se, Shqipëria është një vend që beson tek liria dhe se e konsideron lirinë, pasurinë e të gjitha pasurive. I tërë modeli ekonomik i saj bazohet në lirinë dhe në vlerat e saj”
Investimet dhe rritja e eksporteve përgjatë këtyre dy viteve ishin kryefjala e kryeministrit, Sali Berisha gjatë inaugurimit të spitalit Polispecialistik Mjekësor Kirurgjikal, italo-shqiptar “Salus”, në Tiranë, një investim prej 15 milion eurosh, i shtrirë në një sipërfaqe prej 10 mijë metër katror. I pranishëm në këtë aktivitet, kreu i qeverisë shqiptare përgëzoi investitorët italian për këtë vendimin e cilësuar prej tij fisnik për ngritjen e një spitali të tillë. Madje, duke qëndruar në një fushë të tillë, kryeministri Berisha garantoi se “do të bëjmë gjithçka për realizimin e një reforme shëndetësore, ku shqiptarët të kenë të mundur të blejnë shërbimet e tyre aty ku ato kanë dëshirë”.
Gjithashtu, duke u përqendruar më së shumti në zhvillimet ekonomike kreu i ekzekutivit shprehu bindjen se investitorët do të kenë mbështetje të fortë, pasi sipas tij, Shqipëria mbështet investimet e huaja.
Sipas kryeministrit, ofrimi i shërbimit të standardeve më të larta për qytetarët shqiptar është një objektiv madhor. Kryeministri e vlerësoi realizimin e këtij projekti, si shprehje të besimit të investuesve italianë tek Shqipëria dhe potencialet që ajo ofron.
“Investitorët italianë janë bërë pjesë organike dhe shumë e rëndësishme e zhvillimit të shpejtë të Shqipërisë. Realizimi i çdo projekti përbën në vetvete shndërrimin në realitet të një ëndrre, të një ëndrre fisnike, të një ëndrre dite dhe jo nate, dëshmon një besim të madh tek vendi, komuniteti dhe kombi ku ju realizoni këtë ëndërr. Është normale që çdo i huaj të shtrojë pyetjen se Çfarë është Shqipëria. Unë dua tu garantoj se përgjigjja më e ndershme dhe më e drejtë është se, Shqipëria është një vend që beson tek liria dhe se e konsideron lirinë, pasurinë e të gjitha pasurive. I tërë modeli ekonomik i saj bazohet në lirinë dhe në vlerat e saj. Ky investim që ne inaugurojmë sot është një kontribut i madh në sektorin e shëndetësisë, i katërti investim që bëhet nga investitorët e huaj, në fushën e shëndetësisë brenda një harku kohor 1 vjeçar. Investim, i cili do të ketë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, shërbimit më të rëndësishëm të njeriut dhe për njeriun. Për ne, ofrimi i shërbimit të standardeve më të larta për qytetarët shqiptarë është një objektiv madhor. Ne do të bëjmë gjithçka, në një reformë shëndetësore që qytetarët shqiptarë të mund ti blejnë shërbimet aty ku ata i konsiderojnë më të mira. Rikthehem sërish tek besimi i shqiptarëve tek liria. Ky vend këtu, ku ngrihet sot ky spital, ndonëse afër Tiranës, 20 vjet më parë ka qenë një fshat i humbur, por sot kjo komunë është e 9-ta më e madhja e vendit, për numrin e banorëve dhe zhvillimin e saj. Shqipëria ka bërë dhe bën një përpjekje të mëdha për një kuadër investimesh sa më të përshtatshme. Ajo ka vendosur sistemin fiskal me barrën fiskale, ndër më të ultat në Evropë dhe në botë. Ajo ka një ndër 10 administratat më të vogla në botë. Shqipëria, ka njërën prej 10 qeverive më dorëshkurtra në raport me biznesin, në Evropë dhe në botë. Cilido që vështron treguesit e rritjes së lirisë ekonomike gjen se ky vend po ngjit me shpejtësi shkallët e saj. Me besimin e saj tek liria, ky vend ia del sot që të dyfishojë eksportet në një hark kohor 2 vjeçar. Investimet e huaja në Shqipëri nga viti 2006 në vitin 2010, sipas statistikave, janë rritur me 316 për qind. Shqipëria disponon potenciale shumë të mëdha për investitorët italianë dhe ata nga e gjithë bota. Potencialet e saj në energji të rinovueshme janë të jashtëzakonshme. Unë do të vlerësoja shumë zoti President i rajonit të Friuli Venezia Giulia, që të inkurajoni investitorët e rajonit tuaj që të investojnë në energjinë e rinovueshme në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka firmosur me sektorin privat 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 HEC-ve në mbarë vendin. Kompani serioze italiane janë të angazhuara në prodhimin e energjisë së rinovueshme, të tjera janë shumë të mirëpritura. Ky është një vend me pasuri të mëdha minerare. Ka rezerva botërore të kromit, nikelit, hekur-nikelit, si dhe të bakrit. Gradualisht, ky vend po bëhet margaritar i turizmit në Mesdhe. Unë do tu sjell si shembull vetëm një shifër. Në vitin 2004, Shqipëria priti gjithsej 300 mijë vizitorë dhe turistë, ndërsa vitin që shkoi kemi pritur 4 milion e 1 mijë vizitorë e turistë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri garantoi se investitorët italianë dhe ata të huaj në tërësi, do të jenë gjithmonë të mirëpritur në vendin tonë dhe se do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe autoriteteve shqiptare në të gjitha fushat ku ata do të investojnë. “Investitorët italianë do të gjejnë këtu një mikpritje të madhe dhe unë gjej rastin të shpreh një mirënjohje shumë të thellë, qeverisë italiane për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë, në gjithë këto vite, në rrugën e saj të zhvillimit dhe të integrimit në NATO dhe përpjekjeve për integrim në BE. Dua të falënderoj përzemërsisht investitorët italianë që janë bërë pjesë organike dhe shumë e rëndësishme e këtij zhvillimi të shpejtë të vendit tim. Dhe ka prej tyre nga rajoni juaj që kanë 20 vjet që punojnë më sukses në Shqipëri. Ndaj, edhe njëherë le ti urojmë sipërmarrësit e këtij investimi të mrekullueshëm dhe të urojmë që edhe të tjerë të vazhdojnë në rrugën e tyre”, theksoi më tej kryeministri Berisha.
SALUS, një ndërtesë prej katër katesh, është një strukturë private spitalore, italo-shqiptare, e cila ofron shërbime shëndetësore si ambulatore, ashtu edhe hospitalizim për patologji mjekësore, kirurgjike dhe specialistike. Ky spital, i cili sjell për pacientët shqiptarë teknologjitë më bashkëkohore të diagnostifikimit dhe kurimit, ka 90 shtretër, tri salla operacioni, një shërbim radiologjie, një laborator analizash, një poliambulator multispecialistik dhe një klinikë dentare.
Së bashku me kryeministrin Berisha ishin të pranishëm në këtë event, Ministri i Shëndetsisë, zoti Petrit Vasili, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, Presidenti i rajonit të Friuli Venezia Giulia, zoti Renzo Tondo, ambasadori Italian në Tiranë, zoti Massimo Gaiani, si dhe mjekë, profesorë, studiues italianë dhe shqiptarë, investitorë, etj.