Berisha: Nuk ndërhyj te punët e PS, por Rama të kërkojë falje për mbledhjen e AsamblesëNga TemaKryeministri, Sali Berisha, duke folur në një mbledhje të Komitetit Ndërministror për Integrimin, e quajti mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socia
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Nuk ndërhyj te punët e PS, por Rama të kërkojë falje për mbledhjen e AsamblesëNga TemaKryeministri, Sali Berisha, duke folur në një mbledhje të Komitetit Ndërministror për Integrimin, e quajti mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste një gjyq sekret. Për shkak se aty nuk u lejuan kamerat, Berisha tha se ajo çka bëri Rama, është e papranueshme.
“Shpreh kënaqësinë që mediet janë sot të pranishme këtu, sepse kur pashë dje që rrinin në distancë me kamera të ngritura drejt “Xibrakut”, m’u duk sikur po zhvillohej një gjyq sekret. Ajo pamje ishte jashtëzakonisht e dhimbshme, ishte rasti i parë që hapësira informative ndrydhej dhe burgosej në atë mënyrë. Unë dua të them se nuk ishte jashtë rendit të ditës kjo, por zoti Rama nuk mund të keqpërdorë lirinë në këtë mënyrë. Transparenca ka rregulla. Edhe atëherë kur nuk të pëlqen, duhet t’i nënshtrohesh. Ishte e lemerishme pamja se si i ktheu kamerat në një pozicion që një vend i lirë nuk i ka kurrë.
Nuk po flas këtu si kryeministër, por raporti me lirinë është një raport jetik për të gjithë qytetarët. Mund të vendosësh çfarë të duash, por jo terrin informativ. Ai është i papranueshëm për një shoqëri të lirë. E imagjinoni që nuk paraqisnin dot as lokalin, sepse u kishte dhënë pozicion të atillë që objektivat nuk shkon dot as deri te lokali. Unë absolutisht nuk do ta kisha bërë këtë hyrje, por nuk mund të hesht, në mënyrë absolute, kur shoh që shkelen disa standarde ndër më elementaret. Mua m’u kujtuan romanet që kam lexuar dikur për shpellat e kockave, por kjo nuk ishte e tillë. Aty ishin burra, gra, djem dhe vajza, të cilët i mbyllën jashtë çdo lloj standardi, ndonëse edhe ata votuan për të mos pasur kamera të pranishme, edhe ata votuan kundër vetes së tyre. Çfarë ishte kjo?” - tha Berisha.
Kryeministri tha se Rama duhet të kërkojë falje publike për këtë rast, pasi PS është një pasuri kombëtare. Ai tha se nuk përzihet në punët e brendshme të PS, por ky rast ishte flagrant.
“Absolutisht, duhet të kërkojë të falur publikisht. Partinë Socialiste nuk e ka plaçkë të vetën. Ajo është pasuri kombëtare politike. Unë kam deklaruar dhe e deklaroj se nuk kam për t’u përzier në punët e tyre, por një standard të tillë nuk mund ta pranoj kurrë. Ata janë politikanë dhe deputetë. Enveri i merrte në këtë mënyrë. Por, pikërisht se bën ato imitime, pësoi atë që pësoi. Dhe unë ju garantoj se do ta pësojë, sa herë që do të provojë ta emitojë, sepse të organizosh plenume të mbyllura është jashtë çdo lloj morali të një shoqërie të lirë. Kjo do të thotë të kesh frikë nga vetja jote, të jesh frikacak. Çfarë integriteti ke dhe u tregon shqiptarëve, kur u mbyll dyert? Kjo është e patolerueshme. Ai nuk mund ta përdorë Partinë Socialiste si plaçkë të vetën. Dje ishte një ditë e zezë për Partinë Socialiste, por edhe për vendin, kur lideri i një partie kryesore kujton se mund të veprojë në këtë mënyrë. Lëre që nxori edhe Don Gramozin, sikur nuk kishte tjetër. E vutë re, sikur dilte nga një shpellë dhe jo nga një sallë. I zhduku këto të tjerat”, - tha Berisha.
PS: Berisha po merret me PS për të larguar vëmendjen nga kriza
Partia Socialiste përmes zëdhënëses së saj reagoi për deklaratat e Berishës se Rama duhet të kërkojë falje për mënyrën se si zhvilloi mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Zëdhënësja e PS tha se Berisha është njeriu që vodhi zgjedhjet, një komunist që nuk ka lejuar kurrë debat të brendshëm e që ka persekutuar njerëz.
“Sali Berisha, njeriu që grabiti zgjedhjet dhe mbylli në terr votat e shqiptarëve duke penguar në shkelje të ligjit transparencën e procesit zgjedhor, kryetari i një partie që s’ka bërë kurrë zgjedhje e s’ka pasur kurrë debat të brendshëm, sekretari i Enver Hoxhës që ka mbledhur organizatën bazë për të persekutuar madje dhe internuar njerëz, me pafytyrësinë e atij që pikërisht se i ka bërë të gjitha këto e shumë të tjera, s’mund të ketë më asnjë fije turpi, ai u mor sot e do vazhdojë të merret me Partinë Socialiste, sepse kjo është mundësia e fundit që i ka mbetur për të larguar vëmendjen nga kriza e përgjithshme ku ka futur Shqipërinë e shqiptarët. S’ka faj!
Sali Berisha di më mirë se kushdo që Partia Socialiste mund dhe do t’ia shkurtojë ditët e pushtetit të tij ilegjitim”, - tha zëdhënësja e PS.