Rama: Do shkojmë te zgjedhjet e reja me çdo mjet demokratikNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur dje se aksioni i tyre politik do të synojë vetëm një gjë, kthimin e legjitimitetit të qeverisjes së vendit. Ai tha se për të arr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Do shkojmë te zgjedhjet e reja me çdo mjet demokratikNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur dje se aksioni i tyre politik do të synojë vetëm një gjë, kthimin e legjitimitetit të qeverisjes së vendit. Ai tha se për të arritur këtë duhet një proces i ri zgjedhor.
“Sot ne jemi përpara një Kuvendi të Shqipërisë, që do të formohet, por do të ketë një sovranitet të kontestueshëm politik dhe një qeverie me një mandat politikisht ilegjitim. E theksoj, sovranitetin e kontestueshëm politik dhe mandatin politikisht ilegjitim, për të bërë qoftë një dallim të qartë mes vlerës juridike të rezultatit dhe të gjithë asaj që vjen pas dhe njëkohësisht përmbajtjes së kalbur, jo vetëm morale, por edhe politike të këtyre produkteve që për ne janë të kontestueshme dhe që ne do t’i kontestojmë vijimësisht, duke përcaktuar një aksion politik që qartësisht do të synojë kthimin e legjitimitetit të plotë për Kuvendin dhe qeverinë e këtij vendi, pavarësisht ngjyrës së saj. Sigurisht që për të arritur këtë duhet një tjetër proces zgjedhor, pavarësisht se kur dhe si kjo mund dhe do të ndodhë”, - tha Rama gjatë një konference për shtyp.
“Ne jemi distancuar që dje, hapur, nga çdo rrugë dhe përpjekje për t’i imponuar PS, opozitës dhe opinionit në tërësi të miratimit pa kushte të një rezultati zgjedhor që nuk e shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe sigurisht i gjithë procesi politik do të jetë i kushtëzuar prej nesh përmes të gjitha formave të shprehjes demokratike të qëndrimit dhe detyrimit tonë karshi gjithë qytetarëve që na votuan më 28 qershor, por edhe karshi një populli të tërë, që nuk duhet ta humbasë besimin te vlera e votës së tij dhe që njëkohësisht në asnjë mënyrë dhe pa asnjë arsye nuk duhet të përballet më me një proces zgjedhor si ky që mbaroi. Ne do të bëjmë çmos për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjitha instrumentet ligjore dhe kushtetuese, duke qenë të predispozuar të përdorim çdo mjet demokratik për këtë qëllim”, - vijoi kryetari socialist. I pyetur në lidhje me këtë aksion, Rama tha se nuk do të përjashtohet dhe mundësia e protestave. “Ne do të shkojmë menjëherë apo do të kthehemi menjëherë te shqiptarët e shqiptaret në të gjithë territorin dhe do të ndërtojmë një proces komunikimi intensiv, që do të përkthehet edhe në shfaqje demokratike të protestës për një rezultat të papranueshëm. Shqiptarët nuk mund të pranojnë kokulur një parlament dhe një qeveri që nuk ka lindur nga shprehja e lirë dhe numërimi i ndershëm i vullnetit të tyre përmes votës. Sigurisht që kjo është një rrugë, të cilën do ta përshkojmë me durim, por me një vendosmëri të palëkundur”, - u shpreh Rama.
“Përgjegjës për dështimin e zgjedhjeve është vetëm Berisha”
Edi Rama tha se përgjegjës për dështimin e procesit zgjedhor është vetëm Sali Berisha. Rama tha se korrupsioni i tij elektoral nisi shumë herë përpara fushatës zgjedhore e solli një rezultat të deformuar. “Pa dyshim zgjedhjet e 28 qershorit janë një mundësi e humbur në raport me pritshmërinë dhe me objektivin që duhet të përmbushnin, jo për partitë politike, jo për të përcaktuar kush do të fitonte dhe kush do të humbiste, por për Shqipërinë, për imazhin e saj, për aftësinë dhe pjekurinë e vendit tonë në përmbushjen e një detyrimi që siç e thashë në krye të herës, përbënte një provim përpara familjes euroatlantike. Dhe për këtë ka vetëm një përgjegjës, Sali Berisha dhe qeveria e tij, që deformuan qëllimshëm procesin zgjedhor, nga ku doli një rezultat i deformuar. Prandaj ky rezultat është i papranueshëm për PS, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit. Dhe te korrupsioni elektoral përfshihen të gjitha ekseset e pushtetit, që nga trysnia antidemokratike dhe antiligjore mbi qytetarët zgjedhës, te shpërdorimi katastrofik për buxhetin e shtetit dhe ekonominë shqiptare nesër do t’i shihni shumë shpejt efektet e këtij shpërdorimi të fondeve publike, të fondeve të të gjithë shqiptarëve për fushatën elektorale të PD e deri tek eksesi kriminal i nxjerrjes nga burgjet të dhjetëra e dhjetëra kriminelëve të rrezikshmërisë së lartë që nuk përmbushin asnjë kriter ligjor për të marrë leje e për të dalë me pushime në kohë zgjedhjesh, e për të shoqëruar ministra nëpër territoret e influencës së tyre mafioze. Nga papranueshmëria e rezultatit që vjen si shprehje e kësaj analize, buron edhe legjitimiteti thellësisht i cunguar i çdo produkti institucional dhe politik që prodhon ky rezultat”, - tha Rama.
“Jam kryetar në detyrë”
I pyetur në lidhje se me çfarë statusi u drejtohej ai shqiptarëve, Rama tha se u fliste atyre si një kryetar në detyrë, çka nënkupton se ai do jetë kështu, derisa në PS të mbyllen zgjedhjet për kryetarin e ri. “Unë u drejtohem shqiptarëve në po atë cilësi që kryeministri iu drejtohet shqiptarëve, edhe pse teorikisht apo juridikisht mandati i tij sot është ndërprerë ose, në rast se nuk do të rizgjidhej kryeministër, do të vazhdonte t’iu drejtohej shqiptarëve, pavarësisht se mandati i tij është ndërprerë, sepse nuk ka vakuum. Një kryetar në detyrë është një kryetar që bën detyrën dhe detyra që ka kryetari në detyrë është detyra e kryetarit”, - tha Rama. Ai tha se përgjigjja, nëse do garojë, do merret ditën e Kongresit. “Pyetja juaj e merr përgjigjen e duhur në ditën dhe në kohën e duhur që është dita e Kongresit të jashtëzakonshëm”, - tha Rama.
“Mendimet e ndryshme treguan se PS ka diversitet”
Rama i vlerësoi qëndrimet ndryshe të shprehura në Asamble e tha se PS ka diversitet dhe kjo u duk qartë ditën e martë. “Në mënyrën më absolute unë i shikoj të gjitha përpjekjet e të gjithë miqve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve për të hapur një debat lidhur me një qëndrim politik të PS që është shumë i rëndësishëm në raport me një proces, më i rëndësishmi për një forcë politike që është procesi zgjedhor, si shprehje të atij diversiteti dhe të asaj natyre që ka familja jonë politike që padrejtësisht është parë dhe është komentuar herëpashere si një familje ku kjo gjë mungon. Kemi bërë një debat të gjatë dhe shumë të vlefshëm dhe kemi arritur rezultatin e duhur. Sigurisht që ata mendojnë ndryshe, por kjo nuk do të thotë që nuk janë miqtë dhe kolegët e mi, kështu që edhe ju për këtë arsye po pyesni, sepse ata mendojnë ndryshe. Unë mendoj ndryshe dhe Asambleja vendosi”, - tha Rama.
I pyetur se pse mbledhjet u bënë me dyer të mbyllura, Rama tha: “Mbledhjet e Asamblesë Kombëtare bëhen me statut të mbyllura dhe ato hapen për medien vetëm me vullnetin e Asamblesë Kombëtare. Dje nuk ishte as rasti dhe as vullneti për ta bërë një gjë të tillë.”
“Grupi parlamentar i PS do jetë solid dhe i konsoliduar”
Shpesh është shprehur frika se grupi parlamentar i PS nuk do arrijë të jetë i konsoliduar në nisje të Kuvendit. Rama tha se jep garanci se gjërat nuk do jenë kështu. Ai tha se opozita do ketë një profil të qartë dhe do jetë e vendosur në qëndrimin e saj për të provokuar zgjedhje të reja. “Unë mendoj që grupi parlamentar i PS do të jetë solid, i konsoliduar, i harmonizuar dhe i koordinuar në funksion të një vendimmarrjeje që do të jetë fryt i sintezës i të gjitha mendimeve dhe diskutimeve të brendshme, të secilit në lirinë dhe në të drejtën e tij për t’u shprehur, gjë që asnjëherë nuk ka munduar dhe nuk do të mungojë në PS”, - tha Rama.
“Sot unë dua të bëj të qartë qëndrimin e PS ndaj zgjedhjeve dhe dua të komunikoj me ju dhe përmes jush me të gjithë ata që janë shumë të interesuar, këtu flas për opinionin publik, nuk flas për Sali Berishën që ka edhe ai interesin e vet ta dijë, por për arsye të tjera, se cili do të jetë profili i opozitës me hapjen e sezonit të ri politik dhe pse opozita do të ketë këtë profil.”