E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedim penal për Jeta Seitajn, kryetaren e Njësisë nr. 5 në Tiranë

21-04-2013 / Gazeta 55

Protesta në shtëpinë e Kastriot Islamit

Për Policinë e Tiranës, protesta përpara shtëpisë së deputetit Kastriot Islami ka qenë e paligjshme. Për këtë arsye policia ka nisur dje procedimin penal, në gjendje të lirë për kryetaren e njësisë bashkiake numër 5, Jeta Seitaj, e cila bashkë me aktivistë të Forumit Rinor të PS-së organizoi protestën para banesës së deputetit Islami, në shenjë kundërshtimi për votimin e tij “pro” shkarkimit të anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirian Muho.
Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur se përveç zonjës Seitaj, po procedohen penalisht edhe: kryetarja e Partisë Socialiste të Njësisë Nr. 5, Violeta Kila , kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste për Tiranën, Blerina Gjylameti si dhe shtetasit Ilir Lila, 52 vjeç dhe Kristaq Piluri 59 vjeç. “Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, për të cilët po punohet për identifikimin e tyre, më dt. 16 prill rreth orës 18 në rrugën ‘Dora D’Istria’ kanë protestuar para hyrjes se pallatit ku banon deputeti i Kuvendit, shtetasi Kastriot Islami, për arsyen e votimit te tij në Parlamentin e Republikës së Shqipërsië. Materialet hetimore ndaj të akuzuarve i kanë kaluar prokurorisë për dy veprat penale : “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme“ dhe “Prishje e qetësisë publike”, thuhet në deklaratën e policisë.
Struktura të PS-së të Njësisë Nr. 5 në Tiranë dhe të Forumit Rinor Eurosocialist, FRESSH zhvilluan pak ditë më parë një protestë përpara shtëpisë së ish-deputetit socialist Kastriot Islami, duke e quajtur tradhtar, pas votimit të tij në parlament për shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Vetë deputeti Islami e cilësoi protestën si një presion psikologjik, të urdhëruar nga kryetari i PS-së. “Ajo që ka ndodhur në shtëpinë time edhe Mao Ce Duni do e ishte zili. I bëj thirrje zotit Rama të reflektojë, të distancohet sepse nuk i mbush askujt mendjen me termat mercenarë, tradhtarë, të shitur. Kam menduar që ata po bëjnë vetëm një dhunim retorik, psikologjik të familjes duke menduar se do të ndryshoj mendim. Nuk ka njeri dot mundësi të ndryshoje opinionin tim, është shprehur deputeti Kastriot Islami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›