E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shuhet” shpresa e gjeneral Nehat Kullës, 20 vjet burg

27/05/2010 Vendimi i Gjykatës së Lartë: Deklarohet fajtor për vrasjen e shoferit të Halit Shamatës

TIRANË- Dënohet për të tretën herë Nehat Kulla me 20 vjet burg. Personazhi i njohur i botës së krimit për vitet 1996 e në vazhdim nuk arriti t’i shpëtoi dënimit të dhënë nga gjykata e Durrësit me 20 vite burg. Ky vendim u la në fuqi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë si i mbështetur në ligj dhe në prova të pakundërshtueshme. Edhe pse shkalla më e lartë e gjyqësorit nuk merret me themelin e çështjes, ajo ka dëgjuar palët e pranishme dhe kundërshtitë e tyre në lidhje me shkeljet procedurale të vëna re gjatë gjykimit. Mbrojtja ka theksuar faktin se akuza ka gabuar në mënyrën e paraqitjes së provave dhe më pas gjykata ka marr parasysh gjithçka duke e dënuar klientin e saj pa asnjë bazë. Ndërsa akuza tha se i pandehuri Nehat Kulla është autor i vrasjes së shtetasit Halim Gjuzi dhe njëkohësisht aktivistit të Partisë Demokratike të rrethit Kavajë, Halim Gjuzi. Vrasja e Gjuzit tha prokurori ka ndodhur në vitin 1998. Ka qenë një takim i rastësishëm i Gjuzit me të pandehurin Nehat Kulla. Sherri ka nisur për një gërvishtje makine. Më pas gjithçka ka kapërcyer kufijtë. I pandehuri Nehat Kulla ka qenë tek Shkëmbi i Kavajës duke kaluar me makinë. Me viktimën duket se kishin edhe njohje të mëparshme. Fillimisht janë grindur me fjalë më pas Kulla ka qëlluar mbi të me armë zjarri duke e lënë të vdekur. Në mungesë të avokatëve, të cilët kërkuan shtyrje, vendimi u dha në prani të prokurorit. Akuza për Kullën është ajo e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “armëmbajtje pa leje”. Kanë qenë dëshmitarët ata që hodhën dyshimet e para. Nehat Kulla qarkullonte me një makinë ushtarake. Pikërisht kjo ka qenë edhe pika e parë e nisjes së hetimit. U deshën disa vite për të ardhur në 2005-ën, kur policia kishte marr dijeni se në shtëpinë e shumë të përfolurit ndodhej një bazë me armatime. Kontrolli ishte i befasishëm. Shtëpia e Kullës rrethohet nga 50 policë dhe bashkë me të arrestohen i biri dhe vëllai Bashkim Kulla ( tashmë i dënuar). Për këtë ngjarje Nehati u dënua me 4 vite burg në pritje të përfitimit të lirisë. Duke e pasur në burg, Prokuroria nuk vonoi dhe i konfirmoi akuzën e dytë atë të vrasjes së Halim Gjuzit në Golem. Nehat Kulla nuk e ka pranuar kurrë të jetë autor i ngjarjes, e për këtë edhe avokatët e tij mbrojtës në dy shkallët e tjera u kanë thënë togave të zeza se dëshmitë dhe provat e mbledhura janë manipuluar.

"Bëmat" e "Gjeneralit", vëllait dhe djalit të tij

Familja Kulla ka qenë prej vitesh në qendër të akuzave të drejtësisë. "Gjenerali" siç i thërrasin Nehat Kullës është akuzuar prej vitit 1997 për kryerjen e disa vrasjeve në Tiranë. Fillimisht Kulla u akuzua për vrasjen e dy punonjësve të policisë. Po kështu akuza ndaj tij ka qenë edhe për vrasjen e një shtetasi nga Shijaku të quajtur Peterit Neziri. Ndërkohë që për disa vite me radhë i shpëtoi drejtësisë duke arritur të bindë trupin gjykues se gjithçka e ka bërë për vetëmbrojtje dhe për të ruajtur nderin e familjes së tij.

Në lojën e vrasjeve ka hyrë dhe vëllai i tij Bashkim Kulla.

Shtëpia e Kullës, bazë armësh luftarake

Më 3 korrik 2005, Bashkim Kulla vrau komisionarin e Partisë Republikane, Learton Vathi. Vrasja ndodhi në një qendër votimi. Edhe djali i Nehat Kullës është shoqëruar disa herë në polici dhe ka marrë nga gjykata masën e arrestit, por vetëm për armëmbajtje pa leje. Shtëpia e Kullës ishte kthyer në bazë për mbajtjen e armëve luftarake. Kulla u kap edhe në Elbasan në makinën e tij me një sasi të konsiderueshme fishekësh. Përsëri çështja që ishte në Elbasan u mbyll me një masë jo të rëndë dënimi. Nehat Kulla ka lëvizur me një makinë ushtarake nëpër të gjithë vendin duke u hequr si një nga miqtë e ngushtë të personave me pushtet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›