HEC-et mbi lumin Shushicë, më 19 qershor hapet tenderi për koncesionin
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë më 19 qershor tenderin e hapur për dhënien me koncesion për ndërtimin e dy hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Shushicë, rrethi Vlorë. METE ka shpallur këto ditë ftesën për pjesëmarrje në procedurën konkurruese për këtë proces, bënë të ditur burimet zyrtare të saj. Sipas tyre, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 19 qershor, kur dhe do të hapen ofertat në Ministrinë e Ekonomisë. METE në dy vitet e fundit, ka firmosur 50 kontrata për ndërtimin e 50 hidrocentraleve me fuqi 216 megavat. Ndërkohë, janë në shqyrtim e negocim projektet për 103 hidrocentrale të tjera me fuqi mbi 1000 megavat, ndërsa janë firmosur kontratat për 3 parqe energjetike ere, me një investim rreth dy miliard euro. METE ka firmosur kontratën për hidrocentralin e Ashtës, 140 milionë euro, punimet për ndërtimin e të cilit fillojnë këtë vit, si dhe janë firmosur kontratat për ndërtimin e 3 hidrocentraleve në kaskadën e Devollit, projekt prej 1 miliard eurosh, i cili është më i madhi në Europë.
22 Maj 2009