E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH, kontroll bankave private, Këshilli Mbikëqyrës gati rezultatet e tre muajve



Banka e Shqipërisë do të marrë javën që vjen, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të saj, disa vendime mbi politikën monetare për 3-mujorin e parë të vitit 2009, ku një nga elementët kryesorë do të jetë shqyrtimi për ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit.
Sipas burimeve të BSH-së, gjatë kësaj mbledhjeje, vend kryesor do të zërë dhe diskutimi "Mbi gjendjen e ekonomisë gjatë muajve të parë të vitit 2009 përballë krizës financiare ndërkombëtare". Si pikë tjetër e rëndësishme në rendin e ditës të kësaj mbledhje do të jetë edhe raporti “Mbi veprimtarinë e auditit të brendshëm në 3-mujorin e parë të vitit 2009”. Gjithashtu pika të tjera të rëndësishme do të jenë edhe: informacioni “mbi inspektimet e kryera në banka, nga Departamenti i Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e dytë të vitit 2008”, projekt-rregullorja “mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre”, projekt-udhëzimi “mbi rregullat e brendshëm të funksionimit të Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë”, si dhe projekti “Për dhënien e miratimit paraprak për rritjen e përqindjes të pjesëmarrjes influencuese të Bankës Islamike për Zhvillim në kapitalin aksioner të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë sh.a.”. BSH-ja do të vazhdojë të monitorojë me kujdes çdo informacion në zhvillimet në javët në vijim. Në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, BSH-ja bën të ditur se, ekonomia shqiptare ka treguar "imunitet", por në disa tregues, po shihet ndikimi i krizës ekonomike botërore.

INSTAT: Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin prill, më i ulët se në mars

Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin prill të 2009-s ishte më i ulët se në muajin mars. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, indeksi i çmimeve në muajin prill të këtij viti ishte 103,9 për qind, kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0,1 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin prill ishte 1,9 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 4,4 për qind. Gjatë muajit prill indekset e çmimeve në një sërë grupe pësuan ulje si në grupet dhe nëngrupet "Ushqime dhe pije joalkoolike” (ulje prej 0,2 për qind). Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 3,0 për qind u vërejt në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”. Po ashtu, çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve si, "Bukë e drithëra” (1,3 për qind), “Peshk” (0,3 për qind), “Sheqer dhe reçelna” (0,3 për qind), “Vajra dhe yndyrna” (0,8 për qind) etj. Ulje u vërejtën edhe në indeksin e grupit “Veshje dhe këpucë” (0,1 për qind), në grupin “Shëndeti” (0,3 për qind) etj.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›