E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat për kontrollin teknik për të gjitha llojet e mjeteve

Vendi ku kryhet ky proces dhe afati kohor që duhet respektuar

Laureta Rryçi
Të gjitha mjetet rrugore që regjistrohen dhe qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë i nënshtrohen kontrollit teknik të detyrueshëm. Vetë kontrolli teknik përfshin Kontrollin Teknik Vjetor (KTV) dhe Kontrollin Teknik Periodik. Afati kohor i kryerjes së KTV të detyrueshëm është 1 (një) vit. Afati kohor i kryerjes së KTV të detyrueshëm për mjetet e reja rrugore është pas 1 (një) viti nga data e regjistrimit të tij të parë. Ndërsa afati kohor i kryerjes së KTP të detyrueshëm është 6 (gjashtë) muaj pas kryerjes së KTV të detyrueshëm dhe kryhet për të gjitha mjetet rrugore ku përfshihen: taksistë, mjetet rrugore që përdoren për qëllime mësimore në autoshkolla, autoambulancat, autoveturat me 8+1 vende, duke përfshirë dhe vendin e drejtuesit të mjetit, autobusët dhe mjetet rrugore që përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme.
Vendi
Kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve rrugore kryhet në qendrat e kontrollit teknik (QKT) të miratuara nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Shërbimi i KTV dhe i KTP të detyrueshëm kryhet nga subjekti i autorizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në të gjitha QKT të Republikës së Shqipërisë. Kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve rrugore, pra KTV dhe KTP, do të kryhet sipas Manualit të Kontrollit të Mjeteve.
Tarifat
Kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve rrugore kryhet sipas tarifave të miratuara nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Tarifat e rikontrollit teknik të mjeteve rrugore janë: në rast të rikontrollit teknik të parë brenda një periudhe prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e kontrollit teknik të parë është 40% e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe është 20% e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit; për çdo rikontroll teknik të mëpasshëm, pavarësisht numrit të tyre brenda periudhës prej 30 ditësh nga dita e kontrollit të parë, tarifa e rikontrollit teknik është 50% e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe udhëzimit “Mbi kontrollin teknik të mjeteve rrugore” është 20% e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit; çdo rikontroll teknik i kryer pas periudhës 30-ditore të lartpërmendur do të konsiderohet kontroll nga e para dhe për pasojë do të aplikohet tarifa e plotë e kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

QKT janë të detyruara të mbajnë të dhënat (në elektronikë për mjetet rrugore) si më poshtë:
certifikatën e vjetër të kontrollit teknik;
certifikatën e re të kontrollit teknik;
raportin e kontrollit teknik;
regjistrin ditor të kontrolleve teknike vjetore;
regjistrin ditor të kontrolleve teknike periodike;
regjistrin ditor të defekteve në kontrollet teknike;
regjistrin e shkeljeve të afatit të kontrollit teknik.

Certifikata
Lëshimi nga QKT i certifikatës dhe pullës së kontrollit teknik të mjeteve rrugore përfaqëson dokumentin kryesor që vërteton zbatimin e këtij udhëzimi dhe qëllimet bazë që burojnë prej tij, për kryerjen e KTV apo KTP të detyrueshëm, konform kërkesave të Kodit Rrugor, akteve në zbatim të tij dhe Direktivës 2009/40 EC, datë 06.05.2009 “Mbi kontrollin teknik të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove”. Modeli i certifikatës dhe pullës së KTV apo KTP të detyrueshëm miratohen nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe janë pjesë e këtij udhëzimi, bashkëlidhur. Përdorimi i certifikatave dhe pullave të kontrollit teknik të pamiratuara konsiderohen të pavlefshme dhe përbëjnë shkelje që dënohen sipas ligjeve në fuqi. Subjekti i autorizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për kryerjen e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore ka për detyrë që udhëzimin për kontrollin teknik, Manualin Teknik të Mjeteve etj., që kanë lidhje me to, t’ua bëjë prezent dhe të njohur gjithë personelit të qendrave të kontrollit teknik, nëpërmjet formave të kualifikimit dhe të testimit, me udhëzimin “Mbi kontrollin teknik të mjeteve rrugore”.

Gjendja teknike

Kontrolli dhe vlerësimi i gjendjes teknike të mjeteve rrugore, pra KTV dhe KTP të detyrueshëm, bëhen sipas metodikave të përshkruara në Manualin e Kontrollit të Mjeteve. Gjatë kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore, gjendja teknike e tyre mund të rezultojë: pa mangësi dhe pa difekte. Në këtë rast kontrollorët lëshojnë raportin e kontrollit teknik, lëshojnë certifikatën e kontrollit teknik të plotësuar, me vlefshmëri 1 (një) vjeçare, plotësojnë dhe vulosin lejen e qarkullimit (kontrolli teknik), vendosin në mjetin rrugor pullën e kontrollit teknik.

Gjendja teknike me defekte

Me mangësi apo defekte dytësore që nuk paraqesin rrezik për sigurinë rrugore, ndotjen e mjedisit dhe nuk shmangin respektimin e kushteve teknike të kontrollit të mjetit rrugor, të cilat në Manualin e Kontrollit të Mjeteve, paragrafi “Arsyet për dështim”, janë të përcaktuara me “x” në kolonën “K” (Kalon). Në këtë rast kontrollorët: lëshojnë raportin e kontrollit teknik, bëjnë prezent te drejtuesi i mjetit rrugor mangësitë apo defektet e konstatuara, lëshojnë certifikatën e kontrollit teknik të plotësuar, me vlefshmëri 1 (një) vjeçare, plotësojnë dhe vulosin lejen e qarkullimit (kontrolli teknik), vendosin në mjetin rrugor pullën e kontrollit teknik.

Gjendja teknike me defekte të rënda

Me mangësi apo defekte të rënda, në elementët konstruktivë dhe funksionalë që për nga karakteri përbëjnë rrezik serioz dhe të palejueshëm për sigurinë e qarkullimit dhe identitetin e mjetit, të cilat në Manualin e Kontrollit të Mjeteve, paragrafi “Arsyet për dështim”, janë të përcaktuara me “x” në kolonën “S” (S’kalon). Në këtë rast kontrollorët: lëshojnë raportin e kontrollit teknik, me vlefshmëri 1 (një) muaj, jo për të qarkulluar mjeti rrugor, por për të pasur kohë për riparimin e defekteve, bëjnë prezent te drejtuesi i mjetit rrugor rezultatin “NEGATIV” të kontrollit teknik dhe mangësitë apo defektet e konstatuara, të cilat duhen eliminuar për të hyrë në rikontrollin e mjetit. Nëse nga rikontrolli konstatohet se mangësitë apo defektet janë eliminuar, pra kemi rezultat “POZITIV” të kontrollit teknik, atëherë kontrollorët: lëshojnë raportin e kontrollit teknik, lëshojnë certifikatën e kontrollit teknik të plotësuar, me vlefshmëri 1 (një) vjeçare, plotësojnë dhe vulosin lejen e qarkullimit (kontrolli teknik), vendosin në mjetin rrugor pullën e kontrollit teknik.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›