E Diel, 1 Nëntor 2026

USHTARAKËT, unifikimi i vendimeve, kërkesa e plotë në Gjykatën e Lartë



Gazeta “Albania” zbardh kërkesën e plotë që ushtarakët i kanë paraqitur Gjykatës së Lartë për unifikimin e vendimeve për pensionet e parakohshme dhe të pleqërisë së plotë. Dokumenti është paraqitur që në muajin prill nga dr. Kujtim Cako, presidenti i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, dhe ndodhet në pritje për t’u futur në procedurë gjykimi. Kërkesa erdhi pas shumë proceseve gjyqësore që hapën ushtarakët për të fituar të drejtën e tyre dhe gjykatat u dhanë të drejtë. Procedurat kanë vijuar edhe me zyrat e Përmbarimit, por ISSH-ja nuk ka pranuar që t’u kthejë paratë që u takojnë ushtarakëve. Aleanca thotë se unifikimi i vendimeve do të kishte shumë përfitime, qoftë për Gjyqësorin, qoftë për institucionet, por edhe për kategorinë e ankimuesve. “Në këtë mënyrë do të kursehet kohë, punë dhe shpenzime gjyqësore të konsiderueshme për buxhetin e shtetit”, - thuhet në këtë kërkesë.

Kërkesa
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve ka nisur tashmë procedurat për unifikimin e vendimeve për pensionet e ushtarakëve. Shembull konkret për nisjen e një procesi të tillë shërbyen dy vendimet që u dhanë nga kjo instancë e Gjyqësorit për rekurset e bëra nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore Kukës. Përveç vendimeve që janë dhënë nga gjykatat të shkallës së parë, janë të paktën edhe 11 vendime të gjykatave të apelit në Tiranë dhe në rrethe, ku u është dhënë e drejtë ushtarakëve për pensionet e tyre të parakohshme apo të pleqërisë së plotë. Shumë prej padive të fituara në gjykatë kanë kaluar procedurat në zyrat e Përmbarimit, por nuk ekzekutohen nga drejtoritë rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Kërkesën në Gjykatën e Lartë për marrjen e një vendimi unifikues, Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve e argumenton me faktin se “kur, për shkak të natyrës së marrëdhënieve juridike që janë në konflikt ose për shkak të një dispozite ligjore, efekti i vendimit që do të jepet shtrihet në të gjithë bashkëndërgjyqësit, veprimet procedurale që janë kryer prej disa bashkëndërgjyqësve kanë efekt edhe për bashkëndërgjyqësit e tjerë që nuk janë paraqitur në gjykatë ose që nuk kanë kryer ndonjë veprim në afatin e caktuar”. Më tej Shoqata parashtron edhe argumentimet ligjore. Sipas dr. Kujtim Cakos, marrja e një vendimi të tillë nga Gjykata e Lartë do t’i jepte “fund shkeljes ligjore dhe padrejtësisë në trajtimin me pension të parakohshëm dhe pension pleqërie të ushtarakëve për gati 20 vjet, qysh nga miratimi i statusit të parë të ushtarakut më 3 korrik 1991 e deri sot”.

Problemet
Ushtarakët e kanë akuzuar vazhdimisht qeverinë për mosllogaritje të saktë të skemës së sigurimeve për pensionet e parakohshme dhe ato të pleqërisë së plotë. Madje, kreu i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve, dr. Cako, ka bërë një përllogaritje ku rezulton se që nga viti 1999 dhe deri sot janë rreth 23 milionë lekë që i janë hequr padrejtësisht çdo ushtaraku nga përllogaritjet e gabuara të masës së pensioneve për këtë kategori. Sipas Cakos, edhe ndryshimet ligjore e kanë futur në një rrugë pa krye zgjidhjen e këtij problemi. Qeveria nuk pranon të zbatojë as vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Para pak ditësh, ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, deklaroi se pensionet e ushtarakëve po paguhen dhe nuk ka asnjë problem. Po ashtu, ai shtoi se po përgatitet një draft i ri ligjor që do të rregullojë problemet e dala gjatë viteve të fundit. Por, kreu i AKUSH-it i bëri thirrje qeverisë dhe ministrit të Financave që të bëjë rillogaritjen e pensioneve të plota dhe të pleqërisë së ushtarakëve.

Dokumenti i plotë

KËRKESË GJYKATËS SË LARTE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
T I R A N Ë

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, si institucioni i lartë i Drejtësisë që Ju drejtoni, ka konfirmuar rolin si mbrojtëse e së drejtës në praktikën e zbatimit të ligjit edhe për çështjen e trajtimit me pension të ushtarakëve.
Mospranimi nga ana Juaj e dy rekurseve të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës, në janar 2005, përbën faktin më domethënës në mbrojtje të së drejtës dhe si garant i ligjit.
Aktualisht, shumë ushtarakë në pension të parakohshëm dhe të plotë pleqërie u janë drejtuar gjykatave dhe kanë fituar gjyqin me Sigurimet Shoqërore. Disa vendime të Gjykatës së Apelit, si përfundimtare dhe të formës së prerë, janë si: Vendimi Nr.179, datë 29.01.2008, Nr. 905, datë 08.05.2008, Nr. 899, datë 08.05.2008, Nr. 9774, datë 13.11.2008, Nr. 10406, datë 02.12.2008, Nr. 2002 datë 16.12.2008, Nr. 177, datë 31.03.2009, Nr. 1932, datë 31.03.2009, Nr. 195, datë 09.04.2009, Nr. 1635, datë 26.11.2009, Nr. 152, datë 04.02.2010, etj. Numri më i madh i tyre është ekzekutuar vetëm nga zyrat përmbarimore dhe asnjë nga organet e sigurimeve shoqërore, të cilat nuk bëjnë as aktualizimin e kartelave të pensionistëve sipas vendimeve të gjykatës.
Përveç sa më sipër, bazuar edhe në faktin që janë depozituar për gjykim një numër i madh rekrusesh dhe në kushtet kur Gjykata e Lartë, me Vendimin Nr. 60, datë 18.01.2005, Nr. 19, datë 28.01.2005 me mospranimin e rekruseve të Drejtorisë Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Kukës kundër Vendimit Nr. 55, datë 30.03.2004 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës dhe Vendimit Nr. 173, datë 16.07.2004 të Gjykatës së Apelit Shkodër, është shprehur lidhur me interpretimin dhe zbatimin e nenit 11 të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 ”Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, kërkojmë nga Ju:

1. Në respektim dhe zbatim të përcaktimit të nenit 162 të Kodit të Procedurës Civile në Republikën e Shqipërisë, i cili shprehet: “Kur, për shkak të natyrës së marrëdhënieve juridike që janë në konflikt ose për shkak të një dispozite ligjore, efekti i vendimit që do të jepet shtrihet në të gjithë bashkëndërgjyqësit, veprimet procedurale që janë kryer prej disa bashkëndërgjyqësve kanë efekt edhe për bashkëndërgjyqësit e tjerë që nuk janë paraqitur në gjykatë ose që nuk kanë kryer ndonjë veprim në afatin e caktuar”, marrjen e një vendimi unifikues për praktikën gjyqësore lidhur me:

a. Interpretimin dhe zbatimin e nenit 11 germat ”a” dhe ”b” dhe nenin 18 të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar; nenin 35 pika 1 e 2 dhe nenin 49 të Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”; nenin 14, 27 të Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 2004 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”, të pandryshuar dhe të ndryshuar, për trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve.

b. Interpretimin dhe zbatimin e neneve 15, 16, 27, 29 të Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të RSH”, të pandryshuar dhe të ndryshuar, për trajtimin me pension suplementar pleqërie të ushtarakëve.

2. Dërgimin e vendimit unifikues për zbatim Institutit të Sigurimeve Shoqërore Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta etj.

Në këtë mënyrë do të kursehet kohë, punë dhe shpenzime gjyqësore të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.

Është në autoritetin Tuaj të merrni në konsideratë këtë kërkesë tonën, në respektim dhe zbatim të ligjit.

Ne kemi besim dhe bindje që Ju, me autoritetin që gëzoni dhe me profesionalizmin e lartë në ushtrimin e pushtetit, do t´i përgjigjeni pozitivisht kërkesës tonë, duke i dhënë fund shkeljes ligjore dhe padrejtësisë në trajtimin me pension të parakohshëm dhe pension pleqërie të ushtarakëve për gati 20 vjet, qysh nga miratimi i statusit të parë të ushtarakut me 3 korriku 1991 e deri sot.

Me konsideratë të lartë
Dr. Kujtim ÇAKO
P R E S I D E N T

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›