Helmim masiv në ekskursionin e organizuar nga shoqata fetare
Artan CENA
KORÇË - Ushqimi që kanë konsumuar teksa ishin për piknik në Voskopojë ka shkaktuar helmimin e 30 fëmijëve, 8 prej të cilëve janë trajtuar në kushte spitalore. Lajmi është bërë i ditur nga burimet spitalore të qytetit të Korçës. Kanë qenë këta të fundit që kanë kuruar fëmijët nga Elbasani, të cilët ishin pjesë e një ekskursioni të organizuar nga një shoqatë fetare. Ata kishin pak ditë që kishin shkuar në zonën piktoreske, por dy ditë më parë kanë konsumuar ushqimin që i ka çuar në spital pasi kanë shfaqur shenjat e helmimit. Numri i fëmijëve ka qenë i madh, por pasi kanë marrë ndihmën e parë, vetëm tetë prej tyre kanë ndenjur në spital për të marrë mjekim të mëtejshëm. Ata kanë pasur simptoma më të rënda se fëmijët e tjerë.
Ngjarja
Një grup fëmijësh nga Elbasani janë helmuar gjatë një ekskursioni në Voskopojë. Të rinjtë, kryesisht jetimë, nën drejtimin e një shoqate fetare, ndodheshin për piknik në fshatin turistik. Në ditën e dytë të qëndrimit 30 prej tyre kanë shfaqur shenja helmimi. Mbrëmjen e së martës ata kanë kërkuar ndihmën e mjekëve të Korçës. Tetë prej fëmijëve të moshës nga 10 deri 18 vjeç kishin probleme më të rënda dhe u shtruan për trajtim në spital. Infermierja e shoqatës që shoqëronte grupin e fëmijëve ka deklaruar se fëmijët nuk kishin probleme të tilla para nisjes. Shqetësimet u shfaqën në Voskopojë. Megjithatë, ajo nuk përjashton edhe mundësinë e ndonjë viroze për shkak të ndryshimit të klimës. Mjekët kanë deklaruar se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën dhe pas trajtimit dhe një sërë ekzaminimesh fëmijët e kanë lënë Spitalin e Korçës dhe janë nisur drejt Elbasanit. Sipas mjekëve, shqetësimet e fëmijëve ishin shenja tipike të një helmimi nga ushqimi. Kjo pistë është konfirmuar edhe nga mjeku pediatër i spitalit, Luan Belortaja. Sipas tij, “janë paraqitur në urgjencën e Pediatrisë tetë fëmijë me helmim nga ushqimi dhe spitali i ka vënë menjëherë në mjekim. Tre prej tyre janë bërë më mirë, ndërsa të tjerët vazhduan të ishin nën vëzhgimin e mjekëve”, - shprehet Belortaja.
Pas helmimit të fëmijëve në Voskopojë ka reaguar edhe drejtori i Shëndetit Publik në Korçë. Sipas tij, ISHP-ja ka ngritur tashmë një grup pune në vendngjarje, ndërsa sqaron se gjithçka do të zbardhet pas analizave që do t’u bëhen fëmijëve.
Hetimet
Pak minuta pas bërjes publike të ngjarjes kanë nisur hetimet nga strukturat e policisë dhe të prokurorisë. Siç është mësuar, në vendin ku ishin akomoduar fëmijët ka shkuar një grup hetimor, i cili ka marrë dhe kampionet e ushqimit. Ata kanë marrë dhe dëshmitë e shoqatës fetare që i shoqëronte fëmijët, si dhe personat që kanë përgatitur ushqimin. Ndërkaq, kampionët e marrë në vendin e ngjarjes janë dërguar për analiza, nga pritet të dalë dhe versioni përfundimtar se cili ishte shkaku që 30 fëmijë përfunduan në spital me shenjat e helmimit.
Box
Reagimi i ministrit Vasili
Menjëherë pas publikimit të ngjarjes ka ardhur reagimi i ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Gjatë ditës së djeshme, kreu i Shëndetësisë tha se tashmë fëmijët janë jashtë rrezikut për jetën, edhe pse, sipas tij, “spitalet janë në gatishmëri dhe presin të trajtojnë të gjitha rastet që vijnë”. Duke iu referuar vlerësimeve paraprake për ngjarjen, Vasili bën përgjegjës të helmimit "ushqimin e konsumuar".
Helmimi nga ushqimet, rritet numri i fëmijëve të shtruar
TIRANË - Qindra fëmijë dhe të rritur janë prekur këto ditë nga virozat e stinës dhe helmimet. Në Urgjencën e Pediatrisë, por edhe te Infektivi, paraqiten çdo ditë rreth 90 persona me të vjella dhe diarre. “Ashtu si në muajin korrik, edhe gushti ka të njëjtin fluks, rreth 90 të shtruar në ditë. 1/3 e rasteve janë helmime nga ushqimi”, - deklaron specialistja Ermira Çuko. Një pjesë e të sëmurëve janë helmuar me ushqime, të cilat i kanë konsumuar jashtë, por edhe brenda ambienteve të shtëpisë. Ndaj mjekët këshillojnë që të gjithë personat të tregojnë kujdes ndaj ushqimeve që konsumojnë. “Kujdesi duhet të jetë te uji i pijshëm dhe ushqimet, që nuk duhet të konsumohen pasi kanë qëndruar 8 orë në diell, por duhet të konsumohen të freskëta”, - sqaron Çuko.
Në depresion, i riu i jep fund jetës duke u vetëhelmuar
FUSHË-KRUJË - Një 20-vjeçar i ka dhënë fund jetën pasi ndodhej në depresion. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bënë të ditur se dy ditë më parë, në orën 19:00, ka shkuar për ndihmë mjekësore i vetëhelmuar në Spitalin Ushtarak, ku më pas ka gjetur vdekjen, 20-vjeçari me inicialet O. J., banues në Fushë-Krujë, me arsim 12 klasë. Nga hetimet e para rezulton se ky person, duke qenë në gjendje depresioni, ka përdorur një ilaç me ngjyrë jeshile, ku si pasojë, në momentet e para ka pasur çrregullime shëndetësore dhe më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak, Tiranë, për ndihmë mjekësore, ku ka gjetur vdekjen. Policia tha se ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e familjarëve të viktimës. Ata kanë treguar për gjendjen e rëndë mendore në të cilën ndodhej i riu kohët e fundit. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se është duke u punuar për saktësimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Dosja me materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”.
Fyen dhe ofendon gruan, dënohet 44-vjeçari
KORÇË - Ka fyer dhe ofenduar bashkëshorten e tij, e për këtë ai është paditur prej saj menjëherë pranë forcave të policisë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në fshatin Dvoran të Korçës dhe bëhet me dijeni nga policia e këtij qyteti, e cila ka lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për gruan që ka denoncuar bashkëshortin agresiv. Ky i fundit mësohet se është 44-vjeçari Namik Firaj, banues në fshatin e lartpërmendur, ndërsa bashkëshortja e tij është 40-vjeçarja L. Firaj. Në fakt, edhe më parë ndaj saj ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje prej policisë për shkak të dhunës që ushtronte i shoqi, konkretisht, me anë të një vendimi të posaçëm të gjykatës më 14 prill të këtij viti. Këtë herë, sërish ndaj 44-vjeçarit nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të “pengimit për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”. Nga ana e policisë u kryen veprimet hetimore procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës.
Shkon në spital në gjendje të rëndë, vdes i moshuari
KRUJË - Shkon me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por ndërron jetë një i moshuar. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se dy ditë më parë, rreth orës 16:30, ka shkuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe më pas ka gjetur vdekjen shtetasi me inicialet B. P., 68 vjeç, lindur e banues në Krujë, me arsim 8 klasë. Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e kufomës, autopsia, marrja e deklarimeve të personave që kanë dijeni për ngjarjen, ka rezultuar se vdekja e shtetasit B. P. ka ardhur nga shkaqe natyrale. Gjithsesi, është duke vazhduar puna për sqarimin e rrethanave të tjera të ngjarjes. Dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për ndjekje të mëtejshme.
5 Gusht 2010