E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategoritë që preken nga shkurtimi i buxhetit të Ministrisë së Punës



Avushe Zhuka

Kategoritë që përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale, nga kompensimi i energjisë elektrike, punësimi si dhe të përndjekurit politikë do të preken nga ulja e fondit të buxhetit të Ministrisë së Punës, Çështjeve dhe Shanseve të Barabarta. Fondi i kësaj ministrie është ulur me 1 miliard e 170 milionë lekë duke prekur ndjeshëm disa nga kategoritë që përfitojnë nga skemat sociale. Nga vlera 42 miliardë e 596 milionë lekë që ishin akorduar për vitin 2010 buxheti i rishikuar është në vlerën 41 miliardë e 426 milionë lekë. Për programet sociale, Ministria ka ulur fondin me 1.1 miliardë lekë. Në programin “Mbrojtja sociale” janë bërë këto ndryshime. Në fillim të vitit janë akorduar 19.6 miliardë lekë. Me rishikimin e buxhetit fondi shkon në 18.5 miliardë lekë. Fondi është ulur ndjeshëm për disa nga kategoritë përfituese, ndërkohë që ministri Spiro Ksera deklaron se ulja e fondeve është bërë kryesisht në reduktimin e shpenzimeve dhe dietave.
Fondet
Preken nga shkurtimi i fondeve të përndjekurit politikë për të cilët Ministria ka vendosur të japë 600 milionë lekë më pak se masa që ishte parashikuar në fillim të vitit 2010. Në Artikullin 606 “Për të përndjekurit politikë” fondi është ulur me 600 milionë lekë. Kjo kategori duket se nuk do të përfitojë edhe këtë vit nga dëmshpërblimet. Fondi i caktuar për “Mallra e shërbime” është përgjysmuar nga 59.7 milionë lekë në 29.7 milionë lekë. Po sipas kreut të Ministrisë, Ksera, nga shkurtimi i fondeve nuk preken kuotat e ushqimeve, veshmbathjeve të 27 qendrave rezidenciale të përkujdesit social. Nuk preken as detyrimet ndaj OSSH-së, ose të tretëve. Shkurtimet do të reflektojnë tek udhëtimet e dietat dhe shpenzimet administrative. Shkurtime janë bërë përsa i përket programit “Tregu i punës”. Buxheti i akorduar në fillim të vitit ishte 1 miliard e 639 milionë lekë, me rishikimin e buxhetit fondet për këtë program shkojnë në 1 miliard e 615 milionë lekë, me një diferencë prej 24 milionë lekësh më pak.

Kompensimi
Kategoritë që kanë përfituar nga kompensimi i energjisë elektrike preken nga vendimi për shkurtimin e këtij fondi. Në Artikullin 606 “Kompensimi i energjisë elektrike”, fondi është ulur në masën 350 milionë lekë. Ministrisë së Punës në vitin 2010, nga buxheti i shtetit iu akordua fondi prej 1 miliard lekësh për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Sipas ministrit Spiro Ksera, nga ulja e fondit për kompensimin e energjisë elektrike do të preken vetëm kategoritë që nuk plotësojnë kushtet për t’u trajtuar me këtë ndihmë. Ministria e ka shpërndarë fondin e kompensimit të energjisë elektrike për të gjitha kategoritë që e përfitojnë atë dhe fondi prej 350 milionë lekësh që pakësohet është si rezultat i diferencës se fondeve nga mosplotësimi i kërkesave. Ministria nuk ka saktësuar se cila është kategoria që nuk do të kompensohet për energjinë e elektrike, por ka deklaruar se nuk do të përfitojnë ata që nuk plotësojnë disa kërkesa për dhënien e këtij kompensimi. Për dhënien e kompensimit duhet të plotësohen këto kërkesa: kontrata e energjisë elektrike të jetë në emër të kryefamiljarit të mos ketë detyrime te prapambetura, të mos ketë anëtar të tjerë të punësuar apo të vetëpunësuar, të ketë një kontratë të furnizimit të energjisë elektrike. Ky fond përllogaritet të mbulojë rreth 270 000 familje për kategoritë e mëposhtme. Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe familje që përfitojnë pagesë për amtarët e tyre me aftësi të kufizuar. Kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie dhe pension invaliditeti, punonjës buxhetorë me pagë bruto nën 35 mijë lekë në muaj. Nga kompensimi i energjisë elektrike në masën 640 lekë në muaj, për vitin 2010 kanë përfituar 56 000 familje të NE dhe familje që përfitojnë pagesë për anëtarët e tyre me aftësi të kufizuar. Po kështu përfitojnë 82 000 kryefamiljarë pensionistë me pension pleqërie dhe pension invaliditeti si dhe 20 000 punonjës buxhetorë me pagë nën 35 000 lekë në muaj.

Programi për nxitjen e punësimit, 50 milionë lekë më pak

Të gjithë personave që presin të përfitojnë nga programi për nxitjen e punësimit në vendin tonë nuk do t’u krijohen shumë hapësira pasi fondi është pakësuar në shifrën 50 milionë lekë. Vlera e fondit të pakësuar mbetet brenda Ministrisë, pasi ky pakësim prej 50 milionë lekësh i shtohet programit të pagesës së papunësisë. Shkurtimi i buxhetit prek investimet e parashikuara për rikonstruktimin e disa zyrave të punës si dhe pajisjen me kabinete dhe laboratorë për qendrat e formimit profesional. Fondi për rikonstruktimin e Zyrës së Punës në Devoll është pakësuar në vlerën 1.7 milionë lekë. Po kështu është miratuar pakësimi i fondit për blerjen e kabineteve për QFP në vlerën 10.9 milionë lekë. Në koston lokale (që është kontributi i MPÇSSHB për projektin e huaj që ka bërë investim në QFP Elbasan dhe QFP Shkodër), është pakësuar vlera prej 1.9 milionë lekë. Ky pakësim do të realizohet vetëm për një vlerë të kostos lokale të ndërtimit, nga projekti i huaj për QFP Shkodër, vlerë e cila do të likuidohet nga të ardhurat që realizon kjo qendër. Pajisja e qendrave të formimit profesional me kabinete e laboratorë është parashikuar të bëhet vitin që vjen. Qendrat e formimit profesional do të jenë të pajisura me kabinete, por këto kabinete janë blerë në vite nga projektet e huaja, si CARDS e donatorë të tjerë, si qeveria gjermane dhe ajo italiane. Në fillim të vitit 2010 u programua që me fonde buxhetore të akorduara nga kjo ministri, tenderimi për blerjen e kabineteve do të realizohej nga Ministria e Brendshme. Ky dikaster, për specifikën që kanë pajisjet e kabineteve, pasi një kabinet mund të ketë mbi 120 artikuj, u përgjigj negativisht.

Ksera: “Ndryshimi i fondit, kryesisht për reduktim të shpenzimeve dhe dietave”

Ministri Spiro Ksera u shpreh se ndryshimi i fondeve buxhetore nuk do të prekë dhe as deformojë sektorët bazë dhe prioritet. “Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me reduktimin e shpenzimeve operative, dietat, udhëtimet, telefonatat, kursimet në energji brenda dikastereve tona etj.”, - deklaroi ai. Përfitim fondesh që ndihmojnë situatën e krijuar nga shkurtimi i fondeve do të ketë edhe nga realizimi transparent i tenderëve për rikonstruksione, ku firma të ndryshme, në përputhje me tregun dhe situatën reale ekonomike, kanë dhënë oferta përgjithësisht më të ulëta në krahasim me fondet e parashikuara për këtë arsye në buxhetin e Ministrisë. Ky institucion mbështet programin politik të qeverisë, në Sistemin e Planifikimit të Integruar, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim e Integrim, Kuadrin Makroekonomik 2010 – 2012 duke miratuar shkurtimin e fondeve për kategoritë që trajtohen e përfitojnë nga kjo Ministri. Fondi është ulur ndjeshëm për disa nga kategoritë përfituese edhe pse ministri Ksera deklaron se politika e programit të mbrojtjes sociale konsiston në zbutjen e varfërisë për familjet dhe individët në nevojë, në zhdukjen e varfërisë ekstreme deri në fund të mandatit, shmangien e përjashtimit social, si dhe plotësimin e nevojave bazë nëpërmjet një sistemi pagesash dhe shërbimesh eficiente.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›