Parandalimi i aksidenteve, nis rivijëzimi i superstradës
GJIROKASTËR - Superstrada Kakavijë-Gjirokastër i është nënshtruar rivijëzimit. Punonjësit e Drejtorisë rajonale të Rrugëve po kryejnë plotësimin e sinjalistikës horizontale në këtë segment rrugor, ndërkohë që ka përfunduar vendosja e tabelave orientuese, të cilat ishin dëmtuar. Këto ndërhyrje synojnë shmangien e aksidenteve në këto ditë me qarkullim mjaft të dendur për shkak të kthimit për pushime në vendlindje të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek. "Në kuadër të sezonit turistik kemi kohë që punojmë për rregullimin e akseve me sinjalistikë vertikale. Tani po punojmë me sinjalistikën horizontale. Aktualisht po punojmë në aksin Gjirokastër-Kakavijë dhe brenda muajit gusht të gjitha akset do të kompletohen me sinjalistikën horizontale", - tha Paqsor Aliko, drejtor rajonal i Rrugëve, Gjirokastër. Njëkohësisht, kjo drejtori ka nisur riveshjen e segmentit nacional përfund qytetit të Gjirokastrës, që lidh dy superstradat, Kakavijë- Gjirokastër dhe Gjirokastër- Tepelenë, i cili ka qenë mjaft i amortizuar. Plotësimi i sinjalistikës rrugore dhe rikonstruksioni i këtyre segmenteve synon lehtësimin e qarkullimit dhe minimizimin e aksidenteve rrugore. Gjatë këtij sezoni, ku akset kombëtare në qarkun jugor përballojnë një fluks të lartë lëvizjesh, nuk është shënuar asnjë aksident automobilistik me pasojë vdekjeje.
Tri aksidente në Lushnjë, katër të plagosur rëndë
LUSHNJË - Në rrethin e Lushnjës janë shënuar tri aksidente rrugore gjatë orëve të pasdites. Katër persona janë plagosur rëndë, ndërsa nuk janë shënuar viktima. Dy prej aksidenteve kanë ndodhur brenda një ore në aksin rrugor Lushnjë-Tiranë, i pari pranë rrethrrotullimit të Grabjanit, ndërsa aksidenti tjetër në rrethrrotullimin e Çermës. Drejtuesi i mjetit me targa greke tip “Mazda” nuk ka kryer siç duhet hyrjen për në rrethrrotullim dhe ka përfunduar në kanal. Gjithashtu, sipas policisë, drejtuesi i mjetit, Josif Ndrio, drejtor i Policisë Ndërtimore pranë Bashkisë është njëri prej të aksidentuarve, mjeti me të cilin ka udhëtuar ai, ka dalë jashtë rruge. Në të njëjtën kohë ka ndodhur edhe aksidenti i tretë në vendin e quajtur Pushimi i Shoferëve. Sipas policisë, autorët e aksidenteve nuk kanë respektuar rregullat e qarkullimit, por një faktor më shumë bëhen edhe këmbësorët, të cilët kalojnë rrugën nacionale duke u hedhur nga trafikndarëset.
5 Gusht 2010