Aksidentet përgjakin rrugët, tre të vdekur dhe disa të plagosur
Artan CENA
TIRANË - Aksidentet kanë përgjakur sërish rrugët e vendit gjatë ditës së djeshme. Tre të rinj kanë vdekur në orët e para të mëngjesit si pasojë e përplasjeve të makinave. Aksidenti i parë ka ndodhur në rrugën Durrës-Kukës, ku një 25-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur. Disa orë më vonë, në Velipojë, një makinë ku udhëtonin katër të rinj, dy djem dhe dy vajza, ka dalë jashtë rruge. Si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i “Alfa Romeo”-s dhe janë plagosur tre pasagjerët. Ndërsa në mëngjes, në Durrës, një makinë ka përplasur një motoçikletë dhe për pasojë ka humbur jetën një 31-vjeçar.
Shkodër
Në orët e para të mëngjesit, në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, pikërisht në vendin e quajtur “Mbi Sukë”, komuna Velipojë, ka gjetur vdekjen shtetasi Briken Tarolli pasi mjeti që ai drejtonte, një “Alfa Romeo”, ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal. Nga kjo ngjarje janë plagosur dhe tre persona të tjerë që gjendeshin në automjet. Ata janë: O. Badina, 22 vjeçe, banuese në Tiranë, Ll. Popoviç, 24 vjeç, banues në Shkodër dhe 20-vjeçarja E. Gropcaj, banuese në Bajzë të Malësisë së Madhe. Tre shtetasit e dëmtuar ndodhen në Spitalin rajonal Shkodër jashtë rrezikut për jetën.
Kukës
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në autostradën drejt Kukësit. Viktima quhet Alfred Nërguti, i cili ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij “Benz Mercedes 250” në drejtimin nga Morini në Kukës. Viktima fillimisht është dërguar në Spitalin rajonal të Kukësit dhe më pas, me helikopter, për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por nuk u ka mbijetuar plagëve të marra. Në vendin ku ndodhi aksidenti mungon sinjalistika rrugore, ndërsa mendohet se një nga shkaqet ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.
Durrës
Në Durrës, 31-vjeçari Klodian Jaupi ka humbur jetën pasi është përplasur me një makinë tip fuoristradë. Ai ka qenë duke udhëtuar me motoçikletë në rrugën “Aleksandër Goga” ndërkohë që përplasja fatale ka ndodhur në sheshin para mauzoleumit të dëshmorëve. Burimet zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se 31-vjeçari Klodian Jaupi është dërguar menjëherë në spital pas ngjarjes, por nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë si pasojë e përplasjes. Grupi i hetimor i Policisë Rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë matjet në rrugë për të identifikuar nëse viktima nuk ka respektuar Kodin e Qarkullimit Rrugor, apo drejtuesi i mjetit fuoristradë ka qenë në korsinë e gabuar.
5 Gusht 2010