E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat si bëhet regjistrimi fillestar i biznesit

Mënyra e aplikimit dhe dokumentet shoqëruese për regjistrimin fillestar. Subjektet që duhet të regjistrohen në Regjistrin Tregtar

Jonida Tashi

Të hapësh një biznes është një sipërmarrje e vështirë, kjo jo vetëm për koston që ai ka, por edhe për procedurat që duhet të ndiqen për të bërë regjistrimin e tij. Gazeta “Albania”, për t’u ardhur në ndihmë tw interesuarve po boton nw numrin e sotwm, procedurat që duhet të ndiqen për të bërë regjistrimin fillestar të biznesit. Shpeshherë mosnjohja e këtyre procedurave është bërë shkak për dështimin e një biznesi, pasi secila prej tyre ka një taksë të caktuar që rëndon jo pak në xhepat e një qytetari. Regjistrimi i subjekteve në Regjistrin Tregtar, si dhe regjistrimi për qëllime fiskale, për sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe inspektimin e marrëdhënieve te punës, kryhet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit(QKR).
Qendra
QKR-ja, ofron shërbimin ndaj publikut në mënyrë të drejtpërdrejtë me sportelet e saj, si dhe nëpërmjet sporteleve të shërbimit që do të funksionojnë në bashki dhe komuna. Sipas Ligjit Nr.9723, datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, subjektet që detyrohen të regjistrohen në Regjistrin Tregtar janë: Personat Fizikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik tregtar; Shoqëritë e thjeshta sipas dispozitave te Kodit Civil; Shoqëritë Tregtare; Degët dhe Zyrat e Përfaqësimit të Shoqërive të huaja; Shoqëritë dhe Unionet e Kursim Kreditit; Shoqëritë e Bashkëpunimit Reciprok; Çdo subjekt tjetër për te cilin parashikohet detyrimi për regjistrim ne baze te legjislacionit shqiptar. Subjektet aplikojnë për regjistrim fillestar brenda një afati 15 ditor, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligje te posaçme. Afati llogaritet: Për personat fizik, shoqëritë e thjeshta dhe degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja nga dita e nisjes së aktivitetit; Për personat juridikë nga dita e themelimit;
Aplikimi
Aplikimi për regjistrim fillestar dhe regjistrimet e tjera të personave fizik bëhet nga vetë personi që regjistrohet, apo nga çdo person i autorizuar prej tij. Ndërsa aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive të thjeshta bëhet nga të gjithë anëtarët, apo nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretet, ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet nga të gjithë ortakët e një shoqërie kolektive, të gjithë ortakët e “pakufizuar” të një shoqërie komandite, të gjithë administratorët e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, të gjithë anëtarët e drejtorisë të një shoqërie anonime, apo nga çdo person i autorizuar nga personat e përmendura me sipër. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretet, ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike që lidhen pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhen gjithashtu dhe nga anëtari, ortaku apo aksionari të cilit këto i përkasin. Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera te degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja bëhet nga përfaqësuesi ligjor i degës apo zyrës së përfaqësimit, nga përfaqësuesit ligjor të shoqërisë së huaj apo nga çdo person i autorizuar nga njëri prej personave të përmendura më sipër. Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive dhe unioneve kursim kredi bëhet nga kryetari i bordit drejtues apo nga çdo person i autorizuar prej tij. Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive të ndihmës e bashkëpunimit reciprok bëhet nga kryetari i këshillit administrativ, ose nga çdo person i autorizuar prej tij; Për subjektet e tjera që regjistrohen në Regjistrin Tregtar sipas ligjeve të veçanta, aplikimi bëhet nga përfaqësuesit ligjore sipas përcaktimit të ligjeve përkatëse, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.

Aplikimi dhe dokumentet shoqëruese
1. Regjistrimi kryhet me dorëzimin e aplikimit përkatës të cilit i bashkëngjiten dokumentet shoqëruese që provojnë të dhënat që regjistrohen;
2. Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar në formën e përcaktuar nga legjislacioni përkatës;
3. Dokumentet shoqëruese nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara sipas dispozitave përkatëse ligjore, dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit;
4. Dokumentet shoqëruese duhet të jene në gjuhen shqipe. Së bashku me dokumentin shoqërues në shqip aplikanti mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhen shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve ne fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

Regjistrimi fillestar
Mënyra e aplikimit
1. Personat fizik regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, si dhe një kopje të dokumentit të identifikimit.
2. Shoqëritë e Thjeshta regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, kontratën përkatëse sipas parashikimeve të Kodit Civil dhe kopje të dokumenteve të identifikimit të anëtarëve. Në rast se palët nuk kanë lidhur kontratë me shkrim, regjistrimi i shoqërisë së thjeshtë mund të kryhet duke depozituar vetëm aplikimin e plotësuar në të gjitha të dhënat e detyrueshme, kopje të dokumenteve të identifikimit, dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi në lidhje me organizimin dhe funksionimin e shoqërisë së thjeshtë.
3. Shoqëritë Tregtare regjistrohen në Regjistrin Tregtar duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast së janë hartuar si dy dokumente të veçanta, aktet e emërimit të organeve të shoqërisë, nëse nuk përfshihen në aktet e mësipërme, si dhe aktet e tjera të nevojshme për themelimin sipas legjislacionit në fuqi.
4. Shoqëritë kolektive, komandite dhe ato me përgjegjësi të kufizuar, mund të regjistrohen gjithashtu duke depozituar vetëm aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, dokumentet e identifikimit të anëtarëve apo ortakeve, dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi në lidhje me organizimin dhe funksionimin e llojit të shoqërisë që regjistrohet. Ne këtë rast, aplikimi për regjistrim fillestar dhe deklarata e mësipërme, e nënshkruar sipas rastit nga ortaket, anëtarët ose nga personat e autorizuar të veprojnë në emër e për llogari të tyre, zëvendëson aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë.
5. Degët dhe Zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas ligjit si dhe: a) aktin e themelimit e statutin e shoqërisë së huaj, kur këto janë dy dokumente të veçantë, apo në mungesë aktin ekuivalent të krijimit sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasshme; b) dokumentacionin që vërteton regjistrimin e shoqërisë së huaj në juridiksionin e huaj; c) dokumentacionin që vërteton gjendjen aktuale të shoqërisë së huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 ditë nga data e aplikimit, me të dhënat e saj të regjistrimit dhe përfaqësimit, përfshirë informacionin nëse është në process likuidimi apo falimentimi; d) bilancin e shoqërisë së huaj për vitin e fundit financiar, mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj, nëse shoqëria e huaj ka patur aktivitet për më shumë se një vit; e) vendimin ose aktet e tjera të organit kompetent të shoqërisë së huaj sipas ligjit të juridiksionit të huaj për hapjen e degës ose zyrës së përfaqësimit. Aktet e kësaj pike zëvendësohen nga aplikimi për regjistrim në rastin kur personi që kërkon regjistrimin është njëkohësisht organi kompetent për të vepruar i vetëm në emër të shoqërisë së huaj.
6. Shoqëritë dhe Unionet e kursim kredisë si dhe shoqëritë e bashkëpunimit reciprok, regjistrohen duke depozituar në Regjistrin Tregtar aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast se janë hartuar si dy dokumente të veçanta, si dhe çdo dokument tjetër të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›