E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi Fazliç, "ndjek" Gërdecin

Gjykata e Tiranës ka shtyrë për një javë më vonë marrjen në shqyrtim për gjykim të ankimimit të biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, pasi seanca e djeshme dështoi për shkak të mosparaqitjes së të interesuarve. Gjykata tha se nuk janë paraqitur në seancë dy avokatët e Fazliç, duke e detyruar gjyqtarin Gjin Gjoni shtyrjen e procesit në datën 11 maj, ditë kur dje u shty edhe procesi gjyqësor i Gërdecit. Dje ishte parashikuar që gjyqtari Gjoni të merrte në shqyrtim kërkesën penale të Fazliç, i cili kërkon ndërprerjen e hetimeve me argumentimin se po zgjaten pa asnjë shkak dhe jashtë çdo afati ligjor. Biznesmeni Fazliç u vu nën hetim 7 muaj më parë, pasi dyshohej për pastrim parash. Lidhur me këtë çështje, së fundmi, prokuroria i ka kërkuar informacion shtesë Ministrisë së Drejtësisë për fatin e letërporosive. "Kemi kërkuar informacion për letërporositë që kemi dërguar në Angli, Qipro, Bosnje, Zvicër dhe Kroaci, mbi bazën e të cilave do të vendoset për fatin e dosjes", thanë burime nga prokuroria, të cilët shtojnë se mbi bazën e informacioneve të ardhura nga këto vende, do të vendoset dhe për fatin e dosjes hetimore ndaj biznesmenit serbo-boshnjak. Prokuroria i cilëson të ligjshme hetimet për biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç. Avokati i serbo-boshnjakut, Damir Fazliç, nuk pranon zgjatjen e hetimeve, duke kërkuar që ta sfidojë Prokurorinë, duke e paditur në gjykatë. Sipas padisë së avokatit, Genc Gjokutaj, shtyrja e hetimeve është e paligjshme, pasi hetimet i kanë kaluar afatet që në fillim të muajit prill. Prokuroria, në datën 8 prill, vendosi të shtyjë afatet e hetimit ndaj Damir Fazliç, në pritje të ardhjes së përgjigjeve të letërporosive të dërguara në disa shtete. Sipas akuzës, arsyeja e zgjatjes së afateve hetimore edhe për një muaj, konkretisht deri në datën 8 maj, është bërë për shkak të pritjes së përgjigjeve të letërporosive të dërguara në Qipro, Zvicër, Angli dhe Bosnjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›