E Shtunë, 31 Tetor 2026

Menaxheri: Sezonin tjetër Kaka luan me Realin

Babai i Kakasë, që njëkohësisht është edhe menaxheri, ka deklaruar se ylli i Milanit do të luajë me Realin e Madridit gjatë sezonit të ardhshëm. Mesfushori brazilian është objektivi kryesor i kandidatit për president, Florentino Perez. Bosko Leite pohoi për mediat se pret që djali i tij të transferohet te "merengues" pas spekulimeve të javëve të fundit. "Kaka do të luajë për Realin e Madridit kur president të emërohet Florentino Perez", ishin fjalët e menaxherit, për gazetën madrilene, "As". Drejtuesi i ri i klubit pritet të fillojë negociatat me zv/presidentin kuqezi, Galiani dhe pronarin Silvio Berluskoni, me të cilët ka mjaft miqësi. Pengesa e parë që duhet kaluar është çmimi i fiksuar nga milanistët për kartonin: 60 milionë euro cilësohet një shifër e ekzagjeruar dhe Perez shpreson ta ulë kërkesën me të paktën 10 milionë euro. Objektiva të tjerë për merkaton e verës janë emra të mirënjohur, si Kristiano Ronaldo, Ksabi Alonso, David Vija, David Silva, por edhe francezi i Bajernit, Frenk Riberi, që shihet më pranë Barcelonës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›