E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Itali, takon kreun e koalicionit të së majtës italiane

Presidenti shqiptar Bamir Topi, i ndodhur në Itali, ka takuar sot kreun e koalicionit të së majtës italiane, me Sekretarin kombëtar të Partisë Demokratike, Valter Veltroni, shoqëruar nga deputeti Lapo Pisteli. 

ITALI - Pjesë e vizitës zyrtare të presidentit Topi në Itali ishte dhe takimi i tij me kreun e koalicionit të së majtës italiane, me Sekretarin kombëtar të Partisë Demokratike, Valter Veltroni, i cili shoqërohej edhe nga Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë, deputeti Lapo Pisteli.
Presidenti Topi vuri në dukje faktin se Italia është partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë dhe se për vetë historinë dhe raportet tradicionale mes popujve tanë, afërsinë gjeografike dhe lidhjet kulturore, marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer. Pasi bëri një përshkrim të reformave themelore si reforma në drejtësi, ajo zgjedhore, ekonomike, Presidenti Topi vuri në dukje arritjet ne vend duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimet për përkrahjen e vazhdueshme të Italisë në mbështetje të vendit tonë për integrimin e plotë në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Europian. Presidenti Topi dhe Sekretari kombëtar i Partisë Demokratike ndanë të njëjtin mendim dhe vunë në pah faktin që Italia do të vazhdojë të luajë rolin e saj të rëndësishëm si avokatja e Shqipërisë duke dhënë mbështetjen maksimale dhe intensive në procesin integrues të vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Veltroni u shpreh se vizita e Presidentit Topi në Itali dëshmon më së miri nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe lidhjet e ngushta e të gjithanshme mes dy vendeve tona. Në takim u diskutua edhe për krizën financiare globale si dhe efektet që ajo mund të sjellë për ekonomitë e vendeve tona dhe masat e marra për parandalimin e përhapjes dhe thellimit të kësaj krize. Në këtë pikë, Presidenti Topi vuri në pah klimën e mirë ekonomike në Shqipëri dhe kushtet e favorshme që ajo ofron për investitorët e huaj dhe sidomos ata italianë.
Duke folur edhe për situatën në Ballkan, Veltroni vlerësoi rolin moderator dhe pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm edhe rolin e Italisë në këtë proces bashkëpunimi rajonal.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›