Meta në Skrapar prezanton kandidatin e LSI, Nasip Naço
TIRANË – Kreu i LSI, Ilir Meta ka qenë sot në qytetin e Çorovodës në rrethin e Skraparit ku ka prezantuar kandidatin për deputet i kësaj partie Nasip Naço. Në këtë takim, Meta ka falënderuar popullin e Skraparit për mbështetjen që i ka dhënë kësaj partie qysh në fillimet e saj e në vazhdim.
Më pas, Kreu i LSI, theksoi se “koha po tregon dhe do të tregojë, se LSI është vërtetë ajo forcë politike, e cila do ta rilindë të majtën, sepse do t'i japë jetë, do t'i japë krahë, asaj vlere të jashtëzakonshme të së majtës, që u shkatërrua për fat të keq në Partinë Socialiste, që është në radhë të parë solidariteti njerëzor dhe shoqëror”.
Më pas duke folur për presionin e Qeverisë ndaj Prokurorisë, Meta tha se “Saliu do ligj për Prokurorinë, sepse do t'i terrorizojë prokurorët, që ata të mos të nxjerrin as të vërtetat e Gërdecit, as të rrugës Durrës-Kukës, as këtë të pastrimit të parave, që ka lidhje me Fazlliçin”.
Në fund, Meta garantoi popullin e Skraparit, por edhe të gjithë Shqipërisë, se në vitin 2009, LSI të jetë ajo forcë që do të drejtojë qeverisjen e vendit, por edhe që do të kthejë qeverisjen me sytë nga populli, me sytë nga njerëzit dhe nga hallet e tyre.
(a.s/Balkanweb)