E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i Remzi Hoxhës, thërriten dëshmitarë që nuk kanë dijeni



Tiranë - Pesë ish-punonjës të SHIK-ut ishin thërritur dje në cilësinë e dëshmitarit për procesin e Remzi Hoxhës. Mirëpo asnjëri prej tyre nuk kishte dijeni për ngjarjen në fjalë. Aktualisht ata ishin punonjës në dogana dhe Ministrinë e Brendshme. Dëshmitarët ishin thirrur nga prokurori i çështjes. Ky proces ka nisur prej disa muajsh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Për krimin e kryer gati 13 vjet më parë në bankën e të akuzuarve janë 3 ish SHIK-as, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-SHIK-asve, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng në tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut, se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës.

Prokuroria çon në gjyq një 27-vjeçar për "trafik droge"

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda do të nisë së shpejti procesin gjyqësor ndaj një 27-vjeçari nga Vlora, që u kap me droge disa muaj më parë në Portin e Vlorës. Mbi të rëndon akuza për “trafik të lëndëve narkotike”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet dhe regjistruar për shqyrtim gjyqësor çështjen penale në ngarkim të shtetasit Saimir Bana, 27 vjeç nga Vlora. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur se sipas materialeve hetimore, 27-vjeçari Bana dyshohet si përgjegjës në tentativën për të trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë të sasisë prej 4 kilogram droge, e llojit Cannabis sattiva, e cila u bllokua disa muaj më parë nga autoritet policore në Portin e Vlorës. Sasia e drogës u gjet e fshehur në makinën e 27- vjeçarit Bana në një kontroll policor në Pikën Hyrëse të Portit të Vlorës. Saimir Bana u arrestua në kushtet e flagrancës ndërsa çështja ndaj tij i’u referua për kompetencë hetimore prokurorisë së Krimeve të Rënda. Edhe pse policia dyshoi fillimisht per nje rrjet te mireorganizuar, deri tani ne gjykim ka përfunduar vetëm Bana.

Një grua grabitet me dhunë në Tiranë, kapet i dyshuari

Tiranë – Pas një grabitjeje me dhunë, që ndodhi në rrugën “Shyqyri Ishmi” të kryeqytetit, policia ka kryer arrestimin e një të dyshuari si autor të ngjarjes. Besford Toçi, 20 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, arrestua pasi dy ditë më parë dyshohet se në rrugën “Shyqyri Ishmi”, i ka vjedhur me dhunë varësen e floririt një qytetareje, thanë dje për gazetën “Albania”, burime policore të kryeqytetit. Ato thanë se materialet për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes me dhunë”, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›