E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i dështuar për kartat kërkon përgjegjës

Socialistët thonë se procesi i pajisjes me letërnjoftime ka hyrë në fazën më kritike, duke kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zgjedhjet e lira në vend. "Problemet me shtrirjen e sistemit dhe mungesa e masave organizative për ecurinë normale të këtij procesi po ndikojnë në mënyrë thelbësore në dështimin e objektivit për pajisjen me prioritet me letërnjoftime të zgjedhësve pa pasaportë", u shpreh Damian Gjiknuri. Sipas tij, kjo situatë ka përgjegjës, duke bërë që publiku dhe politika shqiptare të kërkojnë përgjigje për këtë. "Natyrshëm lindin disa pyetje që meritojnë përgjigje: Kush është përgjegjës, që në kontratën me koncesionarin ishte parashikuar që zyrat e aplikimit të hapeshin 4 muaj nga lidhja e kontratës në të gjithë Shqipërinë, pra në nëntor 2008, ndërkohë që sot ky sistem akoma nuk është shtrirë në të gjithë vendin?", tha Gjiknuri. Kush është përgjegjës, shtoi ai, që në kontratë parashikohet se qendra e personalizimit të të dhënave duhej të hapej 5 muaj nga lidhja e kontratës, pra dhjetor 2008, dhe ndërkohe kjo qendër u hap vetëm në shkurt të vitit 2009? Sipas tij, çdo tentativë, neglizhencë apo mungesë informacioni për këto çështje, përbën jo vetëm një përgjegjësi politike, por edhe ligjore, për të mos thënë penale. "Një qeveri e cila dështon në angazhimin më themelor të saj, organizimin e zgjedhjeve të lira, e humbet legjitimitetin për të qenë në detyrë në kohën e zhvillimit të tyre", nënvizoi Gjiknuri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›