Zgjedhjet, Kuvendi miraton komisionin
Kuvendi ka miratuar dje me 95 vota pro për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për zbatimin e Kodit Zgjedhor në lidhje me kartat e identitetit. Në objektin e punës së këtij komisioni do të jetë monitorimi i procesit të shtetasve shqiptarë me karta identiteti të regjistrit themeltar elektronik, gjendjes civile, si dhe punës paraprake për përgatitjen e listave zgjedhore. Ky komision i posaçëm parlamentar ka për objekt monitorimin e përgatitjes për infrastrukturën zgjedhore në përputhje me Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit. Ky komision përbëhet nga 9 anëtarë, nga të cilët 5 i përkasin shumicës dhe 4 opozitës. Komisioni përbëhet nga deputetët Ilir Rusmajli kryetar, Kastriot Islami nënkryetar, Fatos Hoxha, Osman Metalla, Blendi Klosi, Fatmir Xhafa, Arian Madhi, Dritan Shehu, Albert Divjaka anëtarë. Ky komision do të ushtrojë funksionin e tij prej një afati 8-mujor.