E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi ‘Gërdeci’ shtyhet sërish leximi i pretencës

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka shtyrë sërish sot seancën e radhës për çështjen "Gerdeci'.

Shkak këtë radhë për pezullimin e seancës u bë mungesa e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues si dhe e një të pandehuri, i cili kishte probleme shëndetësore.

Në këtë seancë pritej që Prokurorët Genci Qano, Petrit Bica, Altin Dumani dhe Marjeta Zaimi të vijonin me leximin e dosjes voluminoze prej 500 faqesh.

Aktualisht, prokurorët kanë lexuar një pjesë të konkluzioneve, duke publikuar detaje për çështjen si për ideimin, ngritjen dhe funksionimin e ish-fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, shpërthimin në të, etj.

Sipas Prokurorëve demontimi në fabrike kryhej pas asnjë lloj sigurie, ndërsa kompania Albademil nuk kishte licensë për demontimin, ndërsa magazinat për mbajtjen e muncioneve nuk ishin te licensuara.

Sipas Prokurorëve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Sokol Ngjeci dhe Dritan Minxolli, kanë shpërfillur me vetëdije të gjitha rregullat e sigurimit në Gërdec, çka shkaktoi dhe tragjedinë.

29 të pandehurit të procesit ‘Gërdeci’ akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit në fshatin Gerdec të Tiranës, kur si pasojë e një shperthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona, ndersa u plagosën shumë të tjerë. Shpërthimi shkaktoi edhe shumë dëme materiale.

Procesi për çështjen "Gërdeci, pas një maratone seancash, tani i është drejtuar fundit. Pas konkluzioneve të prokurorisë, Gjykata e Tiranës do të shpallë vendimin e saj.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›