E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi negociues në pikën zero

Qëndrimi refuzues i Beogradit për të nënshkruar marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e ka kthyer procesin negociues në pikën zero. Ky vendim i Qeverisë serbe për të mos pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve është cilësuar hap antievropian që mund të prodhojë pasoja të rënda, shkruan Zëri.

Analistët politikë në Prishtinë thonë se procesi dialogues në nivel kryeministrash tashmë është kthyer në pikën zero dhe sipas tyre, nëse Serbia nuk heq dorë nga kompetencat ekzekutive dhe legjislative siç kërkon për asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë kryeministri Hashim Thaçi nuk ka asnjë arsye që të shkojë në Bruksel për t’u marrë vesh me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Ish- funksionar komunist i Kosovës, Azem Vllasi, ka thënë se nëse Qeveria serbe vazhdon pranë atij qëndrimi se asociacioni i komunave serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative, atëherë është e kuptueshme se nuk ka vend për biseda dhe i gjithë procesi po kthehet në pikën zero.

“Bisedimet në mes kryeministrave po kthehen në pikën zero, për aq kohë që Beogradi nuk heq dorë nga kërkesa që asociacioni të ketë karakter legjislativ dhe ekzekutiv”, ka tërhequr vërejtjen ai. Analisti Vllasi tha se pala kosovare nuk ka mundësi për kompromise të reja. “Pala kosovare ka ardhur deri të vija e kuqe dhe rreziku që të shkelë Kushtetutën e shtetit. Nëse do të pranonte çfarëdo modifikimi për atë bashkësi të komunave, atëherë automatikisht kjo prek tërësinë dhe Kushtetutën e Kosovës. E për një gjë të tillë, s’ka autorizim askush në Kosovë. Pra, mund të thirren edhe njëherë dy kryeministrat, por nëse pala serbe refuzon propozimin evropian, por kërkon që të mbahet edhe një takim tjetër më shpresë se pala kosovare do ta ndryshojë qëndrimin e vet lidhur me këtë asociacion, atëherë ajo është punë e huqur, sepse Prishtina s’ka mundësi më të ndryshojë qëndrimin e vet”, ka deklaruar analisti politik dhe ish-funksionar komunist i Kosovës, Azem Vllasi. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›