Procesi për Remzi Hoxhen, do të fillojë në 16 maj
Procesi gjyqësor për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha do të fillojë në datën 16 maj. Kështu kanë deklaruar burime të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. Procesi do të zhvillohet duke pasur 4 të pandehur në bangën e të akuzuarve, Arben Sefgjinin, ish-drejtor i SHIK-ut në Tiranë, aktualisht drejtor i Tatimeve, Ilir Kumbaro, drejtues në SHIK, Avni Koldashi e Budion Meçe, ish-inspektorë të SHIK-ut. Të akuzuarit do të gjykohen në gjendje të lirë, bëjnë të ditur burime zyrtare pranë Gjykatës.
Mësohet gjithashtu se trupi gjykues do të përbëhet nga disa gjyqtarë të cilët janë Xhelal Elezi, Dritan Hallunaj, Nertina Kosova, Etleva Deda dhe Fran Prendi.
Gjyqi i cili ka ngjallur kuriozitettin e opinionit publik, do të ketë dy dëshmitarë kyç, viktima të rrëmbimit të SHIK-ut në 1995, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli. Ata do të thirren për të dëshmuar gjatë procesit.
Dosja 'Hoxha' do të përfaqësohet në gjykatë nga 5 prokurorë, të cilët për 11 vite me radhë kanë hetuar rrëmbimin e tij.