E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i nuses

 

Dje "Spiuni" mori një letër të çuditshme. Shkruesi thotë se është femër dhe në një letër A4 të shtypur shumë bukur në kompjuter, dhe të printuar me ngjyra, kish bërë disa radhë, në fund të të cilave kishte hedhur firmën, por nuk kishte vënë emrin, ashtu si dhe në zarf. Letra, pra, anonime kishte këtë tekst:

"I dashur "Spiun" e di që nuk njihemi dhe nuk dua që të ndodhë. Por ti mund të më ndihmosh, edhe pa më njohur. Dy ditë më parë, rreth mesditës, kur po kapërceja rrugën nga parku "Rinia" për te hotel "Dajti", pashë një makinë të kuqe, me targa gjermane, të cilën për fat të keq nuk e mbaj mend, por që kishte të shkuar në një letër të bardhë "Kërkoj nuse". O Zot, desh më shtypi makina, se ngela në rrugë duke e parë, por ai djali kishte harruar të vinte një numër kontakti.

Unë, prej mëse një muaji, jam bërë shtëpiake dhe kam frikë ta dal kur errësohet. Punoja në Vorë, te një firmë e njohur. Atë ditë që ndodhi shpërthimi, e kisha pushim, por një rrugë e dy punë, shkova për të printuar ca materiale dhe për të blerë ndonjë këmishë të lirë te ai dyqani në Marikaj. Kur ndodhi shpërthimi i parë sapo kisha paguar rrobat e blera dhe si gjithë të tjetrët, dola për të parë. Kishte shumë tym dhe hamendje. Më pas u futa brenda, se u kujtova se kisha harruar rrobat te shitësja. Atëherë ia dha ai shpërthimi i zjarrtë, por unë shpëtova sepse isha brenda. Ai lëmsh më del përnatë në gjumë. Punën e lashë sepse firma falimentoi dhe unë, florinj të merrja, atje nuk shkoja më. Tani dal vetëm rrotull banesës time te "Shallvaret", por dua t'ia mbath nga sytë këmbët prej këtij vendi. Ndaj më pëlqeu shumë ajo tabela te makina e kuqe dhe ju mund të më ndihmoni ta gjej atë burrin që kërkonte nuse. I dashur "Spiun", shpresoj që ai djali ta marrë vesh se unë po e kërkoj. Ai më gjen te parku, përreth Taivanit. Jam brune, me nishan të madh në anën e djathtë të faqes dhe do të mbaj në dorë gazetën të hapur te rubrika juaj.

P.S.Nuk po lë numër telefoni dhe adresë, se nuk dua të më marrin këta fatkeqët që kanë mbetur në Shqipëri.

----------------------------------------------------------------------------------------Truri i Berishës

"Spiuni" është shumë i fiksuar pas reformave të qeverisë, sidomos pas asaj për rikthimin e trurit, ose "Brain Gain", siç i thotë kryeministri Sali Berisha. Ashtu siç tha edhe disa ditë më parë, kur premtoi se qeveria shqiptare do të thithë trurin shqiptar ngado ku ka ikur.

Me këtë ide shkoi pak ditë më parë te Instituti i Fizikës Bërthamore, rrugës që të çon te teleferiku i Dajtit. Fatos Ylli, ishte drejtor deri kur një natë doli në televizion dhe akuzoi qeverinë se nuk i kishte lënë fizikanët që të shkonin në Gërdec, ku dyshohej se kishte radioaktivitet. Në vend të tij, vunë një tjetër që ishte gati të fliste për gjithçka, por vetëm për radioaktivitetet jo. Shkencëtarët shqiptarë, prej 3 muajsh nuk kanë marrë rrogat, telefonat ua kanë prerë, tani presin të hyjnë edhe në provim.

-Për çfarë provimi?- u habit "Spiuni".

-Që të meritojmë vendin e punës.

Në ambientet e shkreta të Institutit, të gjithë janë në pikë të hallit. Kujtojnë me nostalgji të shkuarën dhe shfaqin zili për një kolegun e tyre, i cili iku nga sytë këmbët dhe sot është në Austri, ku merr një rrogë mujore 20 mijë euro, sepse truri vlen. Kuptohet, jo në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›