Procesverbali i së sotmes
Autori i Lajmit: Nga Kim Mehmeti
Pa dyshim, se nga të gjitha shkrimet, më mundimshëm shkruhen ato kur ke ndjenjën se je duke e përsëritur vetveten, se gjithmonë shkruan për të njëjtën gjë, kur gjithmonë duhet të merresh me të njëjtat “personazhe”. Apo, kur të duket se edhe shkrimet e tua “publicitare”, vetëm sa e bëjnë më të lagësht mjegullën politike, e cila i ka mbuluar të gjitha shoqëritë shqiptare. Mbase shkrime të tilla edhe janë më të bezdisshmit për ti lexuar. Por, ku ta dish, ndoshta edhe nuk mund të jetë ndryshe në kohë kur e sotmja dhe e djeshmja me asgjë nuk dallojnë mes veti dhe kur e dinë paraprakisht se e nesërmja do të jetë njësoj si e tanishmja. Aq më shumë kur jetojmë në kohë në të cilat ngjarjet duken sa të thjeshta, po aq edhe absurde, kur shpesh ankohemi nga të tjerët, vetëm duke mos dashur të përballemi me vetveten.
Pra, ku ta dish, ndoshta shumë nga ne që rrëfejmë për të tjerët, në njëfarë mënyre mendojmë për vetveten, krahasohemi me heronjtë e ditëve tona, hamendemi se si do të silleshim nëse do të ndodheshim në situatat e tyre jetësore apo edhe fillojmë të mendojmë se ndoshta “të gjithë njerëzit janë vetëm një njeri”, por rrethanat e ndryshme jetësore, roli që ka në shoqëri, kalendari kur jeton, individin e bënë të ketë bërthamë të dallueshme njerëzore nga ajo e të tjerëve. Dhe këto mendime rëndom na vërshojnë atëherë kur na imponohet bindja se politikanët tanë ekzistojnë thuajse vetëm sa për të krijuar probleme e jo për ti zgjidhur ato. Apo, atëherë kur duam të dëshmojmë se, nëse në të djeshmen socialiste njerëzit donin ta vrisnin Zotin që ta zinin vendin e tij, në të sotmen “demokratike” vritet njerëzorja në njeriun, edhe atë me qëllim që individi të mos mund ta kuptojë se nuk ndryshohet e kaluara, se ajo vetëm mund të ndërmendet, se e sotmja jetohet dhe e ardhmja ëndërrohet.
Pastaj, “shqipëritë” tona ende janë shoqëri ku e mira nuk krahasohet me më të mirën që mund të arrihet, por me të keqen që duhet shmangur. Andaj ke përshtypjen se në “shqipëritë“ tona çdokush di të shpjegojë se çka është duke ndodhur, se kush është shkaktar i problemeve, por rrallëkush ofron dhe e di zgjidhjen. Pra, ke përshtypjen se dikush na e ka vjedhur projektin për të ardhmen tonë dhe ne, ndërtuesit e saj, tani nuk dimë nga ta fillojmë murimin e së sotmes dhe të së nesërmes. Dhe duke qenë “shqipëritë” tona ara, ku suksesshëm rritet bima e mosmarrëveshjeve, paqartësive dhe grindjeve të pafundme politike, sot ne kemi një Shqipëri ku ndërmjetësuesit e huaj duhet ti “pajtojnë” politikanët grindavecë të Tiranës. Pra, të huajt duhet ti mësojnë kryesuesit e atjeshëm partiakë si veprohet kur dy palë nuk arrijnë pajtueshmëri, gjë të cilën të parët tanë e kanë ditur shumë shekuj më parë. Gjë të cilën paraardhësit tanë e kanë ditur qysh në kohët kur kanë jetuar sipas rregullave të Kanunit të Lekës, e kur grindjet dhe mosmarrëveshjet brenda familjes, janë pleqëruar nga më të urtit e fisit, me çka nuk është lejuar që ato të rrokulliseshin rrugëve të botës, por janë zgjidhur dhe mbyllur në “odën e burrave”. Kështu del se sot shqiptarëve, o ju mungon urtësia, o burrat e vërtetë. Apo ndoshta nuk u mungon as njëra as tjetra, por kanë një problem më të madh se ky: të sotmen e ndërtojnë me tullat e së djeshmes.
“Shqipëritë” tona shpeshherë ngjanë në shoqëri ku janë ngatërruar kohët dhe ku janë në grindje të pakompromis ndërtuesit e së djeshmes dhe projektuesit e së ardhmes sonë. Duke qenë shoqëritë shqiptare arena kacafytjesh të pakuptimta politike, sot kemi një Kosovë ku ke përshtypjen se njëri ndreq e tre të tjerë prishin. Apo i ke shqiptarët e Maqedonisë me partitë e tyre, të cilat shumë lehtë “vëllazërohen” me ato maqedonase në pushtet, por assesi nuk ia dalin të gjejnë një qëllim dhe cak të përbashkët që do ti çojë të bashkëveprojnë. Pra, ke parti politike, të cilat i dëgjojnë të huajt kur u thonë se duhet të bashkëpunojnë me partitë e etnitetit maqedonas, por nuk e dëgjojnë popullin e vet kur kërkon nga ato që të bashkëveprojnë kur janë në pyetje të drejtat kolektive të shqiptarëve të këtushëm e të cilat nuk mund të kenë përkatësi partiake.
Andaj, nëse dikush do të donte ti ndërlidhte mes tyre të gjitha “shqipëritë” tona, ato kanë vetëm një emërues të përbashkët: grindjet e pafundme ndërpartiake, grindje të cilat të çojnë të besosh se fjala e shkruar ka humbur kuptim, se dy dekada me radhë je duke shkruar dhe duke lexuar të njëjtin tekst. Grindje të cilat duan ta mbulojnë të vërtetën se politikanët e sotëm do të jenë kapitalistët tanë të ardhshëm, që do të bashkëpunojnë mes tyre, e ne që shkruajmë, jemi vetëm përpiluesit e “procesverbalit” të mosmarrëveshjeve të tyre të sotme. Dhe nëse është kështu, nëse e dimë se kjo grindje do të marrë fund ditën kur politika nuk do të jetë “biznesi” më fitimprurës, atëherë le ta shkruajmë “procesverbalin” e së sotmes me gjakftohtësi, pa u rrëmbyer nga vrulli i atyre që shpalosin bëmat e të tjerëve që me ato ta mbulojnë vetveten, pa mbajtur anë, ta shkruajmë ashtu që ai të jetë vetëm sy që shikon dhe vesh që dëgjon. Duke shkruar në atë mënyrë, ne do tia dalim të pikturojmë portretin grupor të varrtarëve të ëndrrave të shumë gjeneratave të rinjsh që mezi presin të largohen nga “shqipëritë” tona dhe do të shpalosim të vërtetën se kemi jetuar në kohë kur mungonin kopshtarë që e kishin kuptuar se rinia e një populli është parajsa e kësaj bote. Dhe duke mbetur piktorë të ndershëm të varrtarëve të së ardhmes sonë, si dhe të kopshtarëve të munguar, ne do tia dalim të bëjmë të mundshmen: të përballim bezdinë e të shkruarit për tema dhe personazhe të njëjtë, të bëjmë shkrime që do të pasqyrojnë portretin tonë grupor. Me këtë do të tregojmë se nuk është që nuk e kemi ditur se çka i dallon mes tyre politikanët: kur dështon politikani i mirë, nuk qan si dashnori të cilin e ka braktisur e dashura, por i kthehet profesionit, i cili e ka ngritur shkallëve të suksesit. E kur dështon politikani i keq, ai e fillon grindjen me gjithë të tjerët, ia nis të kërkojë fajtorin për dështimet veta. (www.kmehmeti.com)
Ky lajm është publikuar: 02/03/2010