E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia nuk është nëna jonë

Autori i Lajmit: Nga Zamir Alushi
Ballkan otoman? Po vendi ynë, ne shqiptarët çrol do të kemi në këtë gjeopolitikë. Kohët e fundit flitet nga diplomacia turke në drejtimin tonë si “vëllezër” që na lidh historia dhe feja. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, presidenti Gyl, gjatë vizitës së fundit dhe diplomatë të tjerë kanë shprehur idenë se ne jemi pjesë e një trungu, pra vëllezër.
Ka qenë një kohë, diku para Pavarësisë, por edhe kohë më pas, kur gjeneralë, vezirë, guvernatorë, profesorë, klerikë, dijetarë, poetë, shkrimtarë, diplomatë nga ky vend, kryesisht të edukuar dhe kultivuar nën Portën e Lartë të Stambollit, nuk e kishin për gjë të thoshin: “O Turqi, o nëna ime!”
Ka qenë një kohë kur e kishim kokën në Stamboll, mbi supe ose të prerë. Ka qenë një kohë kur njerëzit nuk dinin se çkërkonin dhe bënë kryengritjen me parullën e Haxhi Qamilit: “Duam Babën”. Jo shumë kohë më parë, na kujtohet presidenti Demirel për të cilin bëhej dashi kurban, kur vinte në Shqipëri. Miqësia jonë me Turqinë në histori është sa për tu krenuar aq dhe për tu turpëruar. Është kaq komplekse, sa nuk duket qartë në ishim vëllezër apo armiq, të nënshtruar apo të rreshtuar, të një gjaku, apo gjakpërzier, të një feje apo tradhtarë të besimit të parë. Ka qenë një kohë kur fqinjët na thernin si berra dhe na përzinin nga toka jonë duke na emërtuar turq. Evropa për shumë kohë na pa si avanpost të Lindjes dhe nuk iu dhimbsëm kur fqinjët na copëtonin. Marrëdhënia jonë historike me Turqinë ka brenda një lumë gjaku që pushtuesi ka derdhur për shekuj për nënshtrimin tonë. Historia e Turqisë me Shqipërinë nis me luftërat e Skënderbeut dhe vazhdon me mohimin e gjuhës, të fesë, të pavarësisë, të shitjes së trojeve tona, me asimilimin. Ajo që Turqia bën sot ndaj kombit tonë nuk është as më shumë e as më pak, por poshtërim. Kështu e ka përmbledhur Kadareja këtë lloj raporti në një ese me titull “Poshtërimi”, ku sqaron marrëdhëniet e popujve në rajonin tonë.
Sot Turqia i mëshon faktit se jemi vëllezër me argumentin se na lidh feja dhe historia. Ajo e konsideron veten një fuqi ballkanike me pretendime për influencë dhe për këtë i duhen si pikë mbështetjeje shqiptarët, boshnjakët dhe myslimanët e tjerë. Është e vërtetë se nga pikëpamja strategjike turqit janë aleatët tanë të natyrshëm. Madje, kjo miqësi nuk ka si të shkrihet apo shpërfillet kur në Turqi jeton komuniteti më i madh me origjinë shqiptare jashtë vendit, që numëron mbi 3 milionë vetë. Por Shqipëria ka interesat e saj evropiane dhe ambiciet e saj kombëtare për të bashkuar, integruar dhe mbrojtur shqiptarët në rajon, përpara se të gjejë një vëlla aziatik dhe gjoja historik. Ky avaz, që “jemi vëllezër turq” mund të na prishë punë në Evropë dhe ti marrim vizat Shengen vetëm kur të mos na duhen, të shtyjmë futjen në BE pas Moldavisë apo Bjellorusisë. Shqiptarët janë ndarë prej kohësh nga barazimi i fesë me kombin (kujtoni Pashko Vasën), prandaj nuk duhet të mbesë pa përgjigje nga Tirana kjo tezë. Më mirë neutralë se sa me një “vëlla” turk që na vë në dyshim identitetin tonë evropian.

Ky lajm është publikuar: 02/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›