Sekuestrohen 2 kg heroinë në Tiranë, në pranga 5 persona
Policia e kryeqytetit ka realizuar operacionin “Trekëndëshi” ku ka shkatërruar një grup kriminal që vepronte në katër rrethe të vendit
Policia e Tiranës ka vënë në pranga pesë persona dhe ka sekuestruar 2 kg heroinë. Agjentët kanë arritur mbrëmjen e djeshme që të realizojnë operacionin “Trekëndëshi”, ndërsa kanë shpallur në kërkim edhe një person tjetër. Agjentët e antidrogës kishin gati dy muaj që kishin rënë në gjurmët e grupit, i cili vepronte në katër rrethe të vendit. Ata kishin bashkëpunuar edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës në këtë operacion. Personat e arrestuar janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, kur në ditët në vazhdim pritet të dalin përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Sipas burimeve nga policia, po punohet për arrestimin e personave të tjerë, të përshirë në këtë grup kriminal.
Arrestimi
Rreth orës 18:00, mbrëmjen e djeshme, ata organizuan operacionin “Trekëndëshi”, ku vunë në pranga pesë persona. Policia e Tiranës kishte marrë informacion për grupin kriminal, i cili vepronte në katër rrethe të vendit.
Teksa të arrestuarit ishin duke bërë shkëmbimin e lëndës së dyshuar si heroinë, ata kanë rënë në “grackën” e agjentëve të antidrogës, të cilët i kanë vënë atyre prangat. Aksioni u krye në kryqëzimin e “Rrugës së Elbasanit”.
Ky operacion u realizua me metodat speciale të hetimit, ku u përdorën përgjime, filmime dhe fotografi. Sipas burimeve të policisë, në pranga kanë rënë Ibrahim Cani, 34 vjeç, lindur e banues në Peqin, Ardit Ymer Bakalli, 29 vjeç, lindur e banues në Elbasan, Nikolin Kujtim Merko, 37 vjeç, lindur e banues në Përmet, Denis Arben Caveli, 20 vjeç, lindur e banues në Tiranë si dhe Fatmir Nevruz Mezini, 19 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Pas kontrollit të kryer, agjentët e antidrogës sekuestruan edhe 2 kg lëndë e dyshuar si heroinë.
Hetimet
Agjentët e antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishin marrë informacion për veprimtarinë e grupit. Ata kishin gati dy muaj që kishin nisur hetimet. Sipas burimeve nga policia, grupi e shtrinte aktivitetin e tij në rrethet Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Tiranë. Nga tërësia e veprimeve hetimore, duke realizuar këtë operacion me metodat speciale të hetimit u arrit arrestimi dhe sekuestrimi i kësaj sasie droge. Sipas hetuesve grupi merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Sipas hetuesve në kërkim është shpallur një tejtër, person, ndërsa mendohet se të përfshirë në këtë grup janë edhe njerëz të tjerë.
Të arrestuarit
Ibrahim Cani, 34 vjeç
Ardit Bakalli, 29 vjeç
Nikolin Merko, 37 vjeç
Denis Caveli 20 vjeç
Fatmir Mezini, 19 vjeç