E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Itali, marrëdhëniet tregtare rreth 1 miliard euro



Marrëdhëniet tregtare midis Italisë dhe Shqipërisë kapin shumën e rreth 1 miliard eurove. Italia zë vendin e parë për investimet e huaja në Shqipëri, kryesisht në sektorin tregtar, industrial dhe të shërbimeve. Vetëm për periudhën janar-tetor 2008, importet e mallrave nga Italia kapën vlerën e mbi 84 miliardë lekëve, kundrejt 67 miliardë lekëve në vitin 2007, ndërsa eksportet arrijnë vlerën e 54 milionë lekëve, kundrejt 46 miliardë lekë mallra në vitin 2007. Italia mbetet partneri kryesor i Shqipërisë jo vetëm në shkëmbimet tregtare, por dhe në investimet private. Ndërkohë edhe prodhimet italiane në tregun shqiptar zënë një peshë të konsiderueshme, duke u renditur në vendin e parë në raport me vendet e tjera të rajonit ballkanik. Sipas Institutit Italian të Tregtisë me Jashtë (ICE), importet kryesore nga Italia në Shqipëri zënë 33% të totalit në tërësi. Ndërsa sipërmarrësit italianë zënë vendin e parë për sa u përket investimeve në vendin tonë në fushën e industrisë së lehtë, përfshi atë të konfeksioneve dhe të këpucëve, kryesisht në ndërmarrjet që punojnë me material porositësi, të cilat zënë 37.8% të totalit. Biznesi shqiptar gjithnjë e më shumë po furnizohet me makineri e pajisje dhe teknologji bashkëkohore nga Italia. Makineritë dhe pajisjet që u importuan nga Italia në vendin tonë gjatë vitit të fundit zunë 24% të totalit, prodhimet ushqimore 17.9%, konstruksionet metalike 15.8%, materialet e ndërtimit 14.3%, tekstilet dhe këpucët 12.2%. Me një volum shkëmbimesh të përgjithshme eksport-import prej 48%, Italia mbetet partneri i parë i Shqipërisë në tregtinë e jashtme. Rreth 90% e ndërmarrjeve private të vogla dhe të mesme të huaja në vendin tonë, janë italiane. Ato shtrihen në zonat kryesore dhe përgjatë bregdetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›