E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimet e hortikulturës në tregjet evropiane

Pemëtarët dhe perimtarët i kanë shtuar kapacitetet e tyre prodhuese dhe kanë ngritur edhe standardet e cilësisë në sektorin e hortikulturës në Kosovë. Prodhimi në serra është rritur dhe tashmë fermerët kanë filluar të orientohen edhe drejt prodhimtarisë së integruar, të cilën e ka promovuar Helvetas Swiss Intercooperation përmes projektit “Promovimi i Hortikulturës në Kosovë”. Kështu u tha sot në përmbylljen e këtij projekti dymbëdhjetë vjeçar për promovimin e hortikulturës, i cili është financuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë dhe pjesërisht nga Qeveria e Danimarkës.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se ky projekt është njëri nga projektet më të mira dhe më të suksesshme, i cili ka ndihmuar fermerët edhe në zgjerimin sipërfaqeve në sektorin e hortikulturës dhe në ngritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese. Sipas tij, hortikultura është njëri prej sektorëve me potencialin më të lartë zhvillimor, i cili me mbështetjen që kanë dhënë qeveritë zvicerane dhe daneze, është duke u zhvilluar me hapa të shpejtë, me orientim drejt rritjes së prodhimtarisë vendore, për të zëvendësuar produktet e importit. “Kultivimi i pemëve dhe perimeve paraqet njërën prej prodhimtarive më intensive dhe më në rritje. Në programin e vitit të ardhshëm do të zgjerojmë edhe përkrahjen për këtë sektor dhe pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë në nënsektorin e pemëve dhe perimeve, ndërsa risi do të jetë edhe përkrahja për kultivuesit e perimeve në fushë të hapur”, tha ministri Stavileci, duke shtuar se për herë të parë do të përkrahin edhe sektorin e bimëve mjekuese aromatike, frutave malore dhe kërpudhave.

Ndërsa, Krystyna Marty-Lang, ambasadore e Zvicrës në Kosovë, tha se vendi i saj ka një traditë të gjatë në kultivimin e shumë produkteve të hortikulturës dhe përmes projekteve të ndryshme po mundohen që këtë përvojë ta ndajnë edhe me fermerët kosovarë. “Promovimi i hortikulturës në Kosovë është njëra nga përkrahjet më afatgjate në këtë sektor, i cili u ka mundësuar fermerëve që përveç rritjes së prodhimtarisë, të eksportojnë prodhimet e tyre edhe në tregjet evropiane. Madje tash në kohën kur po përfundon ky projekt, ne mund të shohim se disa nga produktet e hortikulturës i kanë zëvendësuar produktet e importit dhe kjo duhet të na motivojë që të punojmë edhe më shumë”, tha Marty-Lang.

Projekti “Promovimi i Hortikulturës në Kosovë”, për 12 vite rresht sa ka zgjatur ka përkrahur aktivitetet agrobiznesore në hortikulturë, zinxhirin e vlerave në pemëtari dhe perimekulturë, avancimin e prodhimtarisë së produkteve pyjore jodrunore dhe bimëve dekorative, si dhe gjenerimin e punësimit dhe rritjen e të ardhurave për familjet e zonave rurale të përfshira në këta sektorë. Përkrahja financiare e Qeverisë së Zvicrës dhe Danimarkës gjatë këtyre 12 viteve për këta sektorë, sipas të dhënave të Helvetas Swiss Intercooperation, arrin në rreth 14 milionë euro. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›