Prodhimet kinematografike vlerësohen me cilësi
Një rivalitet i fortë mes filmave pjesëmarrës në FestFilmin Ndërkombëtar Veror Durrës 2009. Aktorë, regjisorë dhe producentë të huaj vlerësojnë filmat pjesëmarrës, duke pohuar se ata janë të rëndësishëm dhe konkurrentë të fortë. Angazhimi në këtë festival dhe serioziteti i tij i japin peshën e duhur këtij aktiviteti që nga viti i kaluar është rritur ndjeshëm në cilësinë e filmave pjesëmarrës dhe emrave të njohur të kritikës e botës së filmit që po e ndjekin nga afër atë. Problem mbetet audienca e ulët gjatë ditës, që ka lidhje më shumë me sezonin e pushimeve dhe publikun elitar që përgjithësisht kërkojnë filmat pjesëmarrës. Shumë prej tyre nuk janë komercialë. Dje ka mbërritur në Durrës dhe kryetarja e jurisë së kritikës, Deborah Young, e cila është dhe drejtuese artistike e Festivalit të Filmit në Taormina, përveç të qenit gazetare dhe kritike në revistën kinematografike "Variety". Edicioni i dytë i Festivalit Veror të Filmit vazhdon projeksionet e filmave në ditën e tij të dytë, me pjesëmarrjen e publikut, kineastëve dhe producentëve të filmave konkurrues. Amfiteatri Romak u kthye mbrëmjen e ditës së hënë në një bashkëbisedim mes audiencës dhe kineastëve, një hapësirë pyetje-përgjigje, ku falë projeksioneve të filmave në seksionin ballkanik, apo bashkëkohorë, festivali po tregon me dinjitet se është një dritare e hapur nga ku mund të shikohet drama sociale, jeta dhe aventura e personazheve jetësorë. Vlen të përmendet komunikimi mes regjisorit belg, Enthoven Geoffrey, dhe publikut pas shfaqjes së filmit të tij në Amfiteatër. Për të komunikimi i mirë është shumë i rëndësishëm në çdo aspekt të jetës njerëzore. Ai rrëfeu në filmin e tij dramën e një familjeje belge, ku personazhi kryesor, Martini, gjendet i mbërthyer në grackën e mbijetesës. Martini dhe Elina kanë gjithçka. Dy fëmijë të bukur, para ndër xhepa dhe mjaft kohë të lirë, me pak fjalë një jetë perfekte që ndërpritet kur mësohet se menaxheri i bankës së Martinit është zhdukur bashkë me një shumë të madhe parash. Seria e fatkeqësive që pasojnë këtë incident kërcënon ta shkatërrojë jetën e tyre të rehatshme. Në përpjekje për të shpëtuar jetën e familjes së tij, Martini gjendet i kapur në një rrjetë gënjeshtrash dhe mashtrimesh. Pa rrugëdalje ai do mbytet në dëshpërim të thellë. "Jam i impresionuar nga festivali, pasi e di shumë mirë sa i vështirë është organizimi i tij. Jam i mrekulluar nga pyetjet inteligjente të publikut, që kërkoi domosdoshmërish përgjigje për të gjitha veprimet e personazhit kryesor. Kinemaja europiane sot po tenton të zgjerojë dimensionin e tregimit, duke i qëndruar besnik rrëfimit të jetës sociale dhe dramave familjare. Belgjika është një nga shtetet me një problematikë të theksuar për sa u përket dramave familjare dhe ku përqindja e vetëvrasjeve është shtuar në vitet e fundit. Do t‘u uroj gjithë kolegëve të mi më shumë krijimtari, durim dhe përpjekje për të realizuar idetë, për të sjellë deri në fund realisht jetën në një histori", tha regjisori belg gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Gjatë saj, edhe stafi i filmit kosovar, "Ama dorën", që u prezantua jashtë konkurrimit, për arsye të formatit të xhirimeve, e vlerësoi të rëndësishme pjesëmarrjen në të. Regjisori Ismet Sijarina tha: "E quaj të rëndësishme këtë pjesëmarrje, edhe pse jashtë konkurrimit. Kosova po tregon se mund të ecë përpara në këtë gjini të artit, edhe pse kushtet financiare dhe mbështetja nga njerëzit e kulturës është e pakët". Skenaristi Blerim Gjoci, njëherësh edhe aktor në film, u shpreh se është një film dokumentar që përcjell realitetin e ashpër. Titulli i filmit është një zgjidhje simbolike për të sjellë jo vetëm të këqijat e këtij fenomeni, por edhe shpresën për dalje prej tij. "Kosova po kërkon rrugë të reja në vizionin kinematografik dhe unë mendoj se pjesëmarrja e këtij filmi në disa festivale e tregon më së qarti prezencën e filmit të ri kosovar në arenën ndërkombëtare". Regjisori i ri, Sijarina, tha ndër të tjera se i pëlqen kinemaja dokumentare dhe ndoshta kjo do të jetë edhe në të ardhmen koncepti i tij regjisorial për realizimin e skenarëve të ardhshëm. "Pa krahë", një prodhim çeko-maqedonas, prodhim i këtij viti, me regji të Ivo Trajkov, solli individin, fatin e paracaktuar dhe zgjidhjen. "Çfarë më ka interesuar më shumë në këtë projekt është konflikti mes dëshirës së lirë individuale dhe fatit të paracaktuar", deklaroi regjisori Trajkov mbi filmin parabolikisht të frymëzuar nga historia e Bozena Nemcova‘s dhe dilemat morale sipas Krzystof Kieslowskit. Regjisori e trajton ngjarjen e protagonistit si atë të një njeriu të zakonshëm, i cili duhet të shkëlqejë në gjithçka që bën në jetë. Megjithëse ndesh në vështirësi, ai vazhdon ta shohë çdo situatë me përfitim dhe përulësi. "Solla idetë e mia në këtë komunikim mes njeriut, fatit të paracaktuar dhe vetë Zotit", u shpreh ai në konferencën për shtyp që u mbajt në ambientet e pallatit të kulturës, "Aleksandër Moisiu". Një tjetër film konkurrent, ai kroat, "Të zinjtë", në regjinë e Zvonimir Juric dhe Goran Deviç, solli në ditët e festivalit luftën në Kroaci. I njohur për regjinë e filmit dokumentar, Deviç u shpreh: "Ballkani ka ende shumë tema të nxehta që duhen treguar. Gjithçka që po tregojmë është vetëm ajo që ka ndodhur në vendet tona dhe unë mendoj se na takon ne kineastëve të ngremë zërin për realitetet e hidhura që kemi jetuar". Ndryshe nga situata në Kosovë e Shqipëri, filmi në Kroaci gjen një mbështetje të mirë, veçanërisht regjisorët e rinj. Festivali Veror vazhdoi në mbrëmje me të tjera projeksione të filmave në kinoteatrin "Aleksandër Moisiu" gjatë ditës dhe në Amfiteatrin Romak në mbrëmje. Për të gjithë të interesuarit, ndjekja e filmave është falas dhe një mundësi më shumë për t‘u njohur me prodhimet më të reja kinematografike në Ballkan dhe Europën Perëndimore.