E Diel, 1 Nëntor 2026

Violinisti Fation Hoxholli, i ftuar i festivalit klasik

Të shtunën, më 29 gusht, do të mbahet në Itali edicioni i katërt i "Festivalit klasik 2009", të ftuar special të të cilit janë Diego Campagna në kitarë dhe shqiptari Fation Hoxholli në violinë.

Instrumentisti shqiptar, Fation Hoxholli, i lindur në Elbasan, nisi studimet për violinë pikërisht në vendlindjen e tij. Në moshën 18-vjeçare diplomohet me nota maksimale, duke fituar kështu edhe një bursë studimi për të ndjekur Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës, të cilën gjithashtu e përfundon shkëlqyer. Në vitin 2000 fiton vendin e violinës së parë mes "Virtuozëve të Tiranës", duke fituar edhe çmimin e parë dhe çmimin e nderit në Konkursin Ndërkombëtar për Orkestrën e Harqeve në Vjenë. Vitin pasardhës vlerësohet me vend të parë edhe në konkursin ndërkombëtar për violinë në Tiranë. Shkon në Itali në vitin 2003 për të ndjekur kurs specializimi e në të njëjtën kohë nis edhe bashkëpunimet me Orkestrën Simfonike të Savonës dhe me "United Europe Chamber Orchestra" të Milanos, ku në shumë raste paraqitet si violinë e parë. Në qershor të 2005-ës diplomohet me nota maksimale në konservatorin "G. Ghedini". Në vitin 2006 fiton çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të Pontivrea-s dhe në maj 2007 shfaqet duo me pianisten Chiara Bertoglio, duke marrë edhe një tjetër çmim të parë në një konkurs për instrumentistë të rinj. Ka bashkëpunuar me Orkestrën e Teatrit Regio të Torinos, dhe nga prilli i vitit 2006 është pjesëtar i orkestrës "Solistët e Pavias". Në vijim ka perfeksionuar interpretimin e tij me ndjekjen e disa kurseve studimore, e njëkohësisht është vlerësuar me çmime për veprimtarinë artistike. E vazhdon aktivitetin e tij si solist, duo por edhe në formacione të ndryshme të muzikës së dhomës. I bie një violine Paolo Testore të vitit 1728, pronë e fondacionit "Pro-Canale" të Milanos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›