E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimi i përgjithshëm bujqësor rritet me 4,5%

23/06/2009  Pesë muajt e parë të 2009-s

Prodhimi i përgjithshëm bujqësor vendas u rrit me 4.5 për qind. Gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2009, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në veçanti prodhimi bujqësor ka rezultuar me një ecuri pozitive. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008 treguesit e kësaj periudhe në shkallë vendi tregojnë ritme të rritjes progresive pothuajse në të gjithë sektorët e bujqësisë. Më konkretisht, kundrejt vitit 2005 është rritur ndjeshëm prodhimi i pemëtarisë me rreth 23 për qind, prodhimi blegtoral me 5.2 për qind dhe prodhimet bujqësore të fushës serave, me rreth 17 për qind. Një kontribut në konsolidimin e këtij sektori kanë dhënë dhe projektet e ndryshme që po zbaton Ministria e Bujqësisë. Për vitin 2008, prodhimi bujqësor bruto u rrit me 6.5 miliardë lekë, ndërsa ai agroindustrial me 9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2005. Stimulimi dhe mbështetja e fermerëve me fonde të drejtpërdrejta ka rritur interesin e fermerëve për të shtuar sipërfaqet e mbjella me perime, vreshta e dru frutor në të gjithë vendin. Programi i subvencionimit të fermerëve në të gjithë vendin për nxitjen e prodhimit ka ndikuar në sigurimin e më shumë të ardhurave për familjet e tyre, nga shitjet e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale që sigurojnë në fermat e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›